Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Ismet Bajraktarit, profesorit i cili vdiç sot.
Ai ka punuar për më shumë se 4 dekada dhe ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e arsimit Universitar dhe në ngritjen e kapaciteteve kërkimore shkencore në Kosovë.
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në vendlindjen e tij në Junik në orën 13:00.
Universiteti i Prishtines do të mbajë mbledhje komemorative për nder të tij ditën e mërkurë.
Telegram ngushëllimi
E nderuara familja Bajraktari,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Prof.Dr. Ismet Bajraktari.
Profesor Bajraktari, më shumë se katër dekada të jetës së tij, ia kushtoi arsimimit të brezave të rinj, duke dhënë kështu një kontribut të madh në zhvillimin e arsimit, e në veçanti të Universitetit të Prishtinës.
Përkushtimi i tij në punën me studentë, por edhe në punën shkencore, si dhe personaliteti i tij, e vendosin profesor Bajraktarin në memorien e arsimit shqip, si një nga emrat më kontributdhënës.
Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë dhe në emër timin, t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta.
Me respekt,
Arsim Bajrami – ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë