Bëhet tashmë java e katërt që shoqëria civile po proteston në lidhje me krimet seksuale të ndodhura kundër vajzave në shkollat e arsimit publik parauniversitar në Shqipëri! Përtej mungesës totale të dialogut midis Ministrisë së Arsimit dhe organizatave të shoqërisë civile, këto javë kanë treguar sesa e papërgatitur është Ministria dhe Qeveria shqiptare për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga dhuna seksuale në arsimin publik.
Deri më sot Ministria e Arsimit dhe Qeveria shqiptare kanë preferuar të heshtin përpara 5 rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në 5 shkolla publike, pavarësisht se të gjitha rastet klasifikohen si dhunë institucionale seksuale, pasi disa nga ato kanë ndodhur nga persona të punësuar dhe të paguar nga buxheti i shtetit gjatë orarit të punës në institucionet arsimore!
Sikur të mos mjaftonte mos-llogaridhënia dhe mos-marrja e përgjegjësisë qytetare dhe politike si nga Ministria ashtu edhe Qeveria, sot mediat përcollën dy ngjarje të tjera të rënda, që në qendër të tyre kanë dhunën seksuale dhe dhunën institucionale që ushtrohet mbi nxënësit. Në një gjimnaz të Fierit një nxënëse e ekspozuar para mediave dhe publikut si “shtatëzënë”, nga drejtoresha e shkollës, ndërsa në Këlcyrë, një vajzë është dhunuar dhe shfrytëzuar seksualisht, nga të rinj të cilët më parë i kishin bërë asaj edhe një video me natyrë pornografike.
Në të gjitha rastet e denoncuara deri më tani dhuna seksuale ka patur në qendër të saj fëmijët vajza, ku viktimat janë ekspozuar jo vetëm ndaj marrëdhënieve seksuale të padëshiruara, por edhe shfrytëzimit seksual, kërcënimit, trajtimit çnjerëzor, pornografisë etj. Të gjitha këto ngjarje, të cilat kanë tronditur rëndë opinion publik, po tregojnë faktin se grabitqarët seksualë të fëmijëve kanë hedhur thellë rrënjët e tyre në arsimin publik në Shqipëri.
Së bashku me të gjitha organizatat tona partnere, do të vijojmë të protestojmë për të kërkuar drejtësi për të gjitha vajzat e dhunuara seksualisht në institucionet shtetërore! Heshtja që vazhdon të mbizotërojë nga ana e institucioneve publike, bën përgjegjës kryesor Qeverinë Shqiptare!
Deri kur do të heshtë Qeveria përpara dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në shkollat tona?
Ne kërkojmë sot publikisht: Dilni jepni llogari! Fëmijë viktima të dhunës seksuale institucionale kërkojnë drejtësi! Besa Shahini jep dorëheqje!
