A rrezikon të shtyhet finalja e Botërorit, mes Spanjës dhe Argjentinës?

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Spanja dhe Argjentina do të përballen me njëra-tjetrën në finalen e Kupës së Botës në stadiumin New York–New Jersey, me ndeshjen që është planifikuar të nisë në orën 21:00.

Megjithatë, ekziston rreziku që finalja të shtyhet ose të vonohet.

Franca dhe Anglia do të luftojnë për vendin e tretë këtë të shtunë në mbrëmje, pasi u eliminuan në gjysmëfinale nga Spanja dhe Argjentina.

Spanja synon ta fitojë Kupën e Botës për herë të dytë dhe të ruajë bilancin perfekt në finale, ndërsa Argjentina kërkon të bëhet vetëm kombëtarja e tretë në histori që fiton dy Botërorë radhazi, pas Italisë në vitin 1938 dhe Brazilit në vitin 1962.

Lionel Messi do të luajë finalen e tij të tretë në Kupën e Botës, ndërsa kjo do të jetë hera e shtatë që Argjentina arrin në finalen e këtij kompeticioni.

Me këtë shifër, ajo barazohet me Brazilin, ndërsa vetëm Gjermania ka më shumë finale, tetë në total, duke përfshirë edhe ato të Gjermanisë Perëndimore.

Megjithatë, sipas raportimit të “The Guardian”, zhvillimi i finales është vënë në pikëpyetje për shkak të një paralajmërimi shëndetësor të lëshuar nga autoritetet amerikane.

Zyrtarët e menaxhimit të emergjencave në Bashkinë e New Yorkut shpallën alarm të kuq për periudhën nga e marta deri të enjten, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, përveç rasteve kur është absolutisht e domosdoshme të dalin, si dhe të shmangin aktivitetet fizike intensive.

Shkak është bërë tymi i dendur që është përhapur në shumë qytete të pjesës lindore të Shteteve të Bashkuara pas zjarreve të mëdha në zonat pyjore të Kanadasë.

Tymi ishte qartë i dukshëm edhe në qendër të Manhattanit, ndërsa Statuja e Lirisë u mbulua përkohësisht nga mjegulla e tymit kur shihej nga ana tjetër e lumit Hudson.

Kushtet ishin aq të rënda sa shumë fluturime nga aeroporti Newark në New Jersey u anuluan.

Këto nuk janë kushtet ideale për ndeshjen më të madhe të futbollit botëror, e cila pritet të ndiqet nga rreth 1.6 miliardë shikues në mbarë botën.

Spanja dhe Argjentina janë përballur gjithsej 14 herë, me bilanc të barabartë, pasi secila ka nga gjashtë fitore, ndërsa dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Megjithatë, duhet theksuar se 13 nga këto përballje kanë qenë ndeshje miqësore, ndaj nuk kanë pasur peshë të madhe në aspektin garues.

Dy kombëtaret janë ndeshur vetëm një herë në Kupën e Botës, në vitin 1966, kur u përballën në fazën e grupeve në stadiumin Villa Park.

Në atë takim, Argjentina fitoi me rezultat 2-1, një sukses që e ndihmoi të kualifikohej në fazën me eliminim direkt, ndërsa Spanja u eliminua që në fazën e grupeve pas humbjeve ndaj Argjentinës dhe Gjermanisë Perëndimore, atëherë tri herë kampione e botës

Të ngjashme