AAK-ja fton në interpelancë ministrin Murati, shkak ulja e shtesave për pensionistët

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti, ju bëri një padrejtësi të madhe pensionistëve, të cilët janë kategoria shoqërore që rrezikohen më së shumti nga Covid-19.

‘Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionistëve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë kategoria më e rrezikuar nga Covid-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar. Ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale’, u shpreh Tahiri.

Pas kësaj padrejtësie ndaj pensionistëve me ulje të shtesave për ta, Tahiri ka treguar se Aleanca fton në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes.

‘Të shtyrë nga gjendja e tyre e rëndë, por dhe nga bisedat me ta ku ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer me këtë qeveri, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes. 

Përveç që është jonjerëzore, është mashtrim që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulësh ato që në ditët e para të qeverisjes’, tregoi Tahiri

Të ngjashme