Shefi i këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka kritikuar qeverinë lokale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për shpenzime të larta në kategorinë e drekave zyrtare.
Madje duke përkujtuar kritikat e mëparshme të përfaqësuesve të LVV-së në KK-në e Prizrenit lidhur me shpenzimet për dreka të ish-qeverisë Muja, Baldedaj ka pohuar se moralizuesit e kësaj Lëvizjeje tani po dalin të pamoralshëm, shkruan sot Koha Ditore.
“Lëvizja Vetëvendosje në mandatet e mëparshme nuk i përktheu shpenzimet e drekave zyrtare të qeverisë së Ramadan Mujës në qebapë sepse iu dhimbs paraja e taksapaguesve, por i llogariti ato me qebapë për të ardhur në pushtet vetë e për të ngrënë mish viçi e mish qengji”, ka thënë Baldedaj.
Ai ka publikuar në rrjetet sociale një faturë të një dreke me vlerën 330 euro, duke pretenduar se ajo është shtruar nga pushtetarët e Prizrenit.
“Moralizuesit tani po na dalin krejt të pamoralshëm”, ka deklaruar Baldedaj. Tutje ka theksuar se kjo parti politike duhet të kërkojë falje nga qytetarët për mungesë sinqeriteti.