AAK: Pa buxhet s’ka ushtri

Prishtinë | 18 Jan 2017 | 11:37 | Nga

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka analizuar Projekt-buxhetin për vitin 2017, 2018 dhe 2019 në Projekt propozimin e qeverisë për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), duke vlerësuar se është vërejtur logjikë e njëjtë e anashkalimit dhe e konsideron si tallje për FSK-në.

Kjo logjikë sipas zyrtarëve të AAK-së, e mbështetjes për mbijetesë financiare nga qeveria dhe larg shndërrimit të saj në Ushtri të Kosovës, është e papranueshme.

“Fakti, që në projeksionet buxhetore për tri vitet e ardhshme nuk ka rritje sasiore, që do të nënkuptonte edhe seriozitetin e qeverisë, që të ndajë mjete financiare të mjaftueshme për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve moderne ushtarake, kjo gjë nuk do të ndodhë me këto politika qeverisëse aktuale”, vlerëson AAK-ja.

“Buxheti për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin 2017 është planifikuar të jetë, jo më i lartë se 48 687 209 euro, po ashtu edhe për vitin 2018, jo më i lartë se 48 558 962 euro, me një ulje të lehtë, njëherit as në vitin 2018 nuk do të ketë ndonjë rritje sasiore, përkundrazi do të ulet në 48 420 718 euro. Ndërsa shpenzimet kapitale për vitin 2017 janë planifikuar të jenë vetëm 17 18 000 euro”.

Sipas AAK-së, për dallim nga viti i kaluar, madje as pesë milionë euro më shumë që do të ketë FSK-ja në buxhetin e vitit 2017, nuk do të jenë as për së afërmi të mjaftueshme për të plotësuar kapacitetet në pajisje dhe teknologji ushtarake.

“Blerja e 76 automjete taktike 3 ose 4 tonëshe, që janë paraparë t’i blejë Forca e Sigurisë dhe për këtë, në vitin 2017 i ka në dispozicion vetëm 3.5 milionë euro të tjera, mjete këto totalisht të pa mjaftueshme. Bazuar në këtë projektligj të buxhetit, as më vitin 2017, FSK nuk ka paraparë që të blejë helikopterë, pavarësisht statusit dhe misionit  që i lejohet të pajiset me këtë fluturake ushtarake manovruese”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë mjetet për të arritur përmbushjen e këtyre kapaciteteve që të arrijë standard për të plotësuar këto kapacitetet në pajisje dhe teknologji ushtarake.

“Ne si DPMS, përkatësisht Sektori i Analizës Financiare të AAK-së, vlerësojmë se Buxheti real për Ministrinë e FSK –së do të ishte i mjaftueshëm, si vijon; Sipas nesh Projeksioni buxhetor për vitin 2017 do të ishte në vlerën fillestare prej 68 888 950 euro, për vitin 2018 do të rritej në vlerën prej 88 455 778 euro, dhe planifikimi për vitin 2019 do të arrinte në 95.444,789 euro, buxhet ky i mjaftueshëm për të arritur objektivat e planifikuar. E gjithë kjo rritje do të arsyetohej si ‘Fond Pesëvjeçar për Ushtrinë’ për t’i plotësuar të gjitha nevojat për konsolidimin e Ushtrinë e Kosovës”, thekson AAK.

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK-së, me keqardhje e vlerëson shumë të ultë këtë buxhet për Forcën dhe konsideron se Qeveria  nuk ka dhënë prova se ka për synim ta mbështes më tutje formimin e Ushtrisë e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme