Abazoviq me ambasadoren e Kosovës: Prioritet rruga Plavë – Deçan

Prishtinë | 23 Nën 2022 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Dritan Abazoviq, ka pritur sot në takim ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha. Gjatë bisedës të dyja palët u pajtuan se Kosova dhe Mali i Zi kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe dinamik, çka e dëshmojnë edhe takimet e shumta në nivele të ndryshme me qëllim konkretizimin e projekteve me interes të përbashkët.

Në këtë kontekst, në takimin e sotëm, veçanërisht u theksua puna në ndërtimin e rrugës Plavë – Deçan dhe nënshkrimi i fundit i Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit për realizimin e projekteve infrastrukturore ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.

Lidhur me këtë, kryeministri u informua se pritet një takim i ekipeve në nivel teknik, por edhe për projekte të tjera të shumta infrastrukturore që përveç lëvizjes dhe lidhjes më të mirë të njerëzve, do të çojnë edhe në zhvillimin e turizmit. Gjithashtu, në takimin e sotëm, kryeministri dhe ambasadorja ranë dakord për realizimin e Forumit të përbashkët të Biznesit, i cili do të kontribuojë në zhvillimin dhe lidhjen edhe më të mirë të dy vendeve, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Të ngjashme