Abrashi: Jam befasuar për të keq nga kërkesat bazike të qytetarëve të Prishtinës

Prishtinë | 02 Nën 2017 | 12:15 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arban Abrashi mori pjesë në diskutim të hapur me studentët e kolegjit ISPE, raporton EkonomiaOnline.

Abrashi para stundentëve shpalosi programin qeverisës të tij për Prishtinën. Ai theksoi se Prishtina ka nevojë për investime në kërkesa bazike që ishin nevojë e qytetarëve dhe tha se u habit nga ato kërkesa sepse sipas tij duhet të ishin realizuar më parë.

“Si kryetar i Prishtinës do të merrem vetëm me problemet e Prishtinës, sepse ka shumë punë për tu bërë, prej infrastrukturës e deri te projektet tjera madhore. Për 4-5 javë jemi organizu dhe kemi mbajt 250 tubime prej mëngjesit deri në mbramje që kanë qenë takime me njerëz, jam befasu edhe për të keq , ku kërkesat që kanë ardh nga banorët e Prishtinës kanë qenë bazike, siç janë trotuarët, ndriçim dhe kanalizim. Komuna e Prishtinës ka buxhet  të mjaftueshëm që kalon 80 milionë euro të cilat i merr nga qeveria kuvendi dhe të ardhurat vetanake”, tha Abrashi.

Plani i Abrashit për Prishtinën përfshinte zhvillimin e Prishtinës në aspektin ekonomik, kulturor dhe social, ndërtimin e zonave ekonomike në Prishtinë, zgjerimin e ngrohjes qendrore në të gjitha lagjet e Prishtinës si dhe në kuadër të arsimit, ndërtimin e shkollave të reja në lagjet Veternik, Sofali dhe Mati.

“Pika parë ka të bëjë me karakterin zhvillimor të Prishtinës, ku edhe do të jetë eksportuese e vlerave ekonomike, kulturore dhe sociale, pika e dytë është ndërtimi i zonave ekonomike, ku ka zona përreth Prishtinës, Lipjanit, Graçanicës, Fushë Kosovës, ku një pjesë e qytetarëve të Prishtinës nuk shkojnë me punu atje sepse është larg dhe paga ju shkon për rrugëtim dhe ushqim, e jonja është me ndërtu zona ekonomike në Prishtinë që janë afër banorëve të Prishtinës dhe që bëjnë hapjen e vendeve të reja të punës, pika e tretë është zgjerimi i ngrohjes qendrore në të gjitha lagjet e Prishtinës, si dhe prioritet ka arsimi, që ka shumë shkolla në Prishtinë që punojnë në tri ndërrime, e para me ndërtu infrastrukturën në zonat më të dendura ku ka shumë nxënës, do hapen shkolla të reja në lagjet Veternik, Sofali, Mati etj”, tha Abrashi.

Të ngjashme