Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Imri Ahmeti, ka thënë se LDK-ja pret rezultate jashtëzakonisht pozitive nga dita e zgjedhjeve, bazuar sipas tij në entuziazmin e qytetarëve pjesëmarrës në tubimet elektorale, raporton Ekonomia Online.
Ahmeti ka thënë se gjatë fushatës ka pasur një komunikim me qytetarët dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike mëse të nevojshëm.
“Vlerësimet e mia janë shumë pozitive, fushata sado që duket e gjatë ka qenë shumë e nevojshme për të komunikuar dhe takuar qytetarë, simpatizantë dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike. Unë vlerësoj që ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe natyrisht që presim rezultate jashtëzakonisht pozitive”, tha Ahmeti.
Ai ka theksuar se përkatësisht në tubimin përmbyllës të së shtunës, pret të jetë një ditë jashtëzakonisht masovike e anëtarësisë së LDK-së.
“Fushata ishte mjaft dinamike dhe natyrisht ka shkuar në rritje e sipër. Çdo ditë e më shumë ka ardhur duke u nxeh atmosfera dhe duke ndërtuar emocione edhe më të mëdha, dhe unë pres që kjo shkallë do të shkojë duke u rritur deri në përfundim të fushatës, përkatësisht tubimin që e kemi të shtunën, kështu që pres të jetë një ditë jashtëzakonisht masovike e anëtarësisë sonë”, tha Ahmeti për Ekonomia Online.
Ai po ashtu ka thënë se shoqëria jonë si dhe vendi ynë ka nevojë për progres dhe për prosperitet në të gjitha fushat.
“Natyrisht, nuk prodhojnë asgjë të mirë. Ne duhet të mësohemi ta ndërtojmë një demokraci përmes ofertës para publikut e jo përmes agresivitetit, fyerjeve e sharjeve sepse nuk prodhojnë asgjë të mirë. Shoqëria jonë e vendi ynë ka nevojë për progres dhe për prosperitet në të gjitha fushat dhe jo me u marr me vetëvete. Jemi përpjekur që t’i përmbahemi kulturës sonë tradicionale, duke ofruar para publikut vizionin tonë për të ardhmen e vendit tonë e jo të merremi me të kaluarën e as me sharje e as me fyerje”, tha ai.