Nënkryetari i komunës së Prishtinës nga AKR-ja, Selim Pacolli ka thënë se gjatë fushatës zgjedhore disa media kanë anashkaluar kandidatin e kësaj partie Gëzim Mehmetin, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, janë publikuar edhe sondazhe të rreme, duke konstatuar se mediet me këtë rast kanë bërë edhe shkeljen e neneve kushtetuese.
“Për kandidatin e komunës është vërejtur se disa media bëjnë shkelje duke anashkaluar kandidatin Gëzim Mehmeti”.
“Janë publikuar edhe sondazhe të rreme. Sipas monitorimeve shkelje të tilla janë konstatuar në disa media si T7, Dukagjini, Periskopi, Ballkan.info. Me sjelle të tilla është bërë edhe shkelje e neneve kushtetuese. Sipas Kushtetutës përcaktohet mbulimi i fushatës nga mediat”.
Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti, tha se sondazhe duhet të bëhen me qytetarë të Prishtinës e jo ta manipulohen.
AI ka bërë të ditur se me ankesë do t’i drejtohen KPM-së dhe KQZ-së, raporton EO.
“Organet kompetente duhet të reagojnë. Dhe kemi përgatitur një ankesë për shkelje të ligjit zgjedhor. Do t’i drejtohemi Këshillit të pavarur të mediave dhe KQZ-së”.
“Në rast se nuk do të ketë ballafaqim atëherë kemi diçka që sepse respektojmë qytetarët e Prishtinës. Nuk kemi çka të fshehim para qytetarëve sepse meriton njerëz transparentë”.
Blerim Gjeladini, ekspert i teknologjisë, tha se sondazhet në shumicën e rasteve janë dezinformuese.
“Këto media kanë shkelur standardin duke blerë shikues nga shtete aziatike. Ne si kompani jemi marrë me sondazhe dhe bazuar sondazhet nga mediat në fjalë janë dezinformuese”.
“Ne kemi bërë edhe një denoncim. E vetmja mënyrë për bërë fushatë është media sociale. Këtë ne mund ta shikojmë edhe në matjet që bëjnë mediat”.