Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër S.J., B.H., V.H., të gjithë zyrtarë me pozita të ndryshme në Komunën e Dragashit dhe N.S., qytetar i kësaj komune.
Sipas Aktakuzës i pandehuri S.J. nga viti 2009 në vazhdimësi deri në vitin 2016, në Dragash, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit Komunës, duke përdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës nr. 04/2-144, i mundëson N.S., përvetësimin e paluajtshmërisë – tokës shoqërore, në të cilën ndërton objekt afaristë dy katesh, pa kompensim dhe pa vendim të Asamblesë Komunale, me ç’ rast keqpërdor pasurinë e komunës së Dragashit dhe i shkakton dëm të konsiderueshëm në vlerën e paluajtshmërisë shoqërore të përvetësuar.
Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri B.H. gjatë periudhës kohore të vitit 2011, në Dragash, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit Komunës, duke përdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk i kryen detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, si dhe shkel ligjin mbi ndërtimin, në atë mënyrë që lëshon Aktvendim me të cilin N.S. i lejohet ndërtimi i objektit afaristë në paluajtshmërinë shoqërore të evidentuar në emër të komunës së Dragashit, njëkohësisht gjatë atij viti, lëshon Aktvendim me të cilin vërtetohet se N.S., ka bërë uzurpimin arbitrar të tokës në pronësinë shoqërore e evidentuar si pronë shoqërore e komunës së Dragashit.
Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri V.H. gjatë vitit 2011, në Dragash, në vazhdimësi deri në vitin 2016, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit komunës së Dragashit, duke përdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar të tij, me dashje nuk i kryen detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, duke mos ndërmarrë veprime për ndërprerjen, ndalimin dhe ekzekutimin e punimeve në objektin e ndërtuar nga N.S., i cili posedonte lejen e ndërtimit të përkohshëm dhe lejon ndërtimin me karakter të përhershëm nga materiali i fortë prej betonit, në kundërshtim me lejen.
Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.2, të Kodit Penal të republikës së Kosovës.
I pandehuri N.S. prej vitit 2009, në vazhdimësi deri në vitin 2016, në Dragash, në mënyrë të kundërligjshëm uzurpon paluajtshmërinë – tokën në pronësi shoqërore, me kulturë tokë ndërtimore, në emër të pronës shoqërore të Komunës së Dragashit, në të cilën ndërton objektin afaristë dy katesh nga materiali i fortë prej betoni, për destinim të cilën e shfrytëzon si objekt afaristë.
Me këtë ka kryer veprën penale uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme nga neni 332, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1, të Kodit Penal të Kosovës.