Albin Kurti nuk është i vetmi fajtor për këtë katandisje

Prishtinë | 28 Jan 2023 | 22:24 | Nga Milazim Krasniqi

Më së lehti është të thuhet se Albin Kurti ka faj për përkeqësimin e raporteve të Kosovës me SHBA-në. E vërteta është që Kurti e ka një pjesë të fajit për këtë përkeqësim.

Por, e vërteta është që Kurti e ka trashëguar këtë tendencë të përkeqësimit të besimit me amerikanët nga parardhësit e vet në qeveri, nga i pari tek i mbrami.

Ja një tabelë:

  • dhuna politike menjëherë pas çlirimit, ndaj serbëve lokalë po edhe ndaj aktivistëve politikë, ishte një lloj shoku për amerikanët. Si mund të bëheshin dhunues, ata që ishin deri dje viktima? Tentuan ta ndalnin atë tendencë me krijimin e një përfaqësie të përbashkët, (Ollbrajt dhe Hill) por ajo u refuzua nga njëra palë jona dhe gjendja rrëshqiti edhe më fort drejt një lloj anarkie politike e të sigurisë.
  • Trazirat e marsit 2004 shënuan krisje edhe më të madhe të besimit në vizionin, guximin dhe ndershmërinë e përfaqësuesve politikë të Kosovës.
  • Privatizimet shumë herë banditeske dhe korrupsioni galopant, shkaktuan hutim dhe zhgënjim tek amerikanët.
  • Pas pavarësimit dolën ide minuese ndaj pavarësisë së Kosovës- bashkimi me Shqipërinë dhe shkëmbimi i territoreve me Serbinë.
  • U refuzua me dhunë demarkacioni me Malin e Zi, edhe pse miratimi ishte interes strategjik i NATO-s, sepse ishte parakusht i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
  • U sulmuan brutalisht institucionet. Në një rast u sulmua edhe ambasadorja amerikane.
  • U tentua të zhbëhej Gjykata Speciale.
  • Nuk pati asnjë qeveri vullnet të formohej Bashkësia e Komunave me kohë e me terma më të butë, se sa këta që janë sot më qarkullim.
  • U bë një lojë pa asnjë kuptim me taksën 100%, në kundërshtim me rekomandimet e qarta amerikane, që ajo të hiqej.
    Votuesit e zhgënjyer dhe të hutuar, vunë bast me tërë shumën në Kurtin, duke e bërë jo vetëm kryeministër me fuqi të madhe të votës po edhe tabelë qitjeje. I ekzaltuar gabimisht nga ai rol, Kurti në vend që të tregone maturi, tregoi arrogancë të pafrenuar. Gabimin fatal e bëri me problemin e targave, ku tregoi aventurizëm e jo liderizëm. Dhe ashtu provokoi ortekun e Serbisë ndaj qeverisë së tij. Për shkak të ndryshimeve gjeopolitike që solli agresioni rus në Ukrainë, tash Serbia po ledhatohet nga Perëndimi, që të shkëputet nga influenca ruse, prandaj orteku ndaj Kurtit nuk është vetëm i Serbisë, po edhe i Perëndimit. Ky ortek ka rrezik ta dëmtojë jo vetëm Kurtin, po edhe Kosovën.
    Ama, përgatitja e këtij orteku ka kohë të gjatë që është përgatitur. Esht ortek ndaj një elite hipokrite, abuzuese e të paaftë, po si duket edhe ndaj një shteti që nuk po don të bëhet vend. Në instancë të fundit, Kurti e përfaqëson në mënyrë legjitime atë shumicë, e cila nuk po dëshmon me veprime qytetare se e duan Kosovën si shtet.
    Ne duhet ta kemi të qartë edhe këtë gjë të fundit: SHBA përkatësisht NATO-ja Kosovën mund ta mbajnë nën kontroll dhe në sferën e vet edhe pa partneritet me qeveritë e Kosovës. Këtë gjë ua mundëson në mënyrë absolute Marrëveshja Ushtarake-Teknike e 9 qershorit 1999 dhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e 10 qershorit 1999, të cilat nuk e kanë asnjë afatizim dhe faktikisht asnjë kufizim të imponimit të vullnetit e pushtetit.
    Fatkeqësisht, politikanët tanë për gjithë këto vite nuk e kanë kuptuar qartë këtë gjendje vasale të Kosovës, e cila më shumë është problem i sigurisë se sa i demokracisë. Shumë prej tyre, duke përfshirë këtu edhe Albin Kurtin, kanë tentuar të sillen si gjoja politikan sovran, (edhe në pabesi ndaj SHBA-së) duke qenë shteti ynë de jure dhe de facto shtet klient e jo shtet sovran.

Të ngjashme