Anatomia e mashtrimit të dashurisë

Prishtinë | 20 Mar 2022 | 12:50 | Nga Afrim Kasolli

Lulëzimi i medieve sociale dhe platformave tjera të komunikimit virtual ka kohë që për shumë analistë dhe ekspertë, se krahas efekteve pozitive që mund te ketë një zhvillim i tillë digjital dhe teknologjik, po ashtu ka gjasa të shndërrohet në burim të manipulimit, tjetërsimit dhe shpërdorimit human, shpirtëror dhe emocional.

Se ky proces pervaziv mund të bëhet në një botë në vete, që nuk e pasqyron të vërtetën reale, duke i ngjasuar një “hiper-realiteti”.

Në këtë drejtim, shqetësimet kryesore lidhen me kërcënimin që është duke e përjetuar vërteta, fakti dhe informacioni për shkak të strategjive të post-truthit, me anë të shpërhapjes se lajmeve të rreme (fake news).

Mirëpo, kjo tendencë , krahas aspekteve të sipër cekura, po ashtu ka filluar të manifestohet edhe në promovimin e formave tjera të përçudnuara të jetës, sikurse, në atë të dashurisë së rreme (fake love), apo ta quajmë kushtimisht “post-love”. Pra me këtë rast, edhe kjo ndjenjë universale po i subordinohet presionit që po e afirmojnë modelet e rrejshme të kësaj bote. Kurse, shtytja për ta shijuar magjinë e saj nuk nxitet nga emocionet e brendshme, por nga shkëlqimi fals virtual.

Pikërisht, pasoja të tilla të negative i hulumton dokumentari më i fundit “The Tinder Swindler” i transmetuar në platformën Netflix. Në këtë prodhim të veçantë artistik, tregohet për mënyrën, se si disa vajza të reja dikund të moshës 30 vjeçare, ranë pre e mashtrimit që u kishte bërë një ri izraelit me emrin Shimon Yehuda Hayut, por që paraqitej me pseudonim si Simon Leviev, apo si djali i miliarderit izraelit, Lev Leviev, që merret me tregtinë e diamanteve . Këtë gjah ai e realizonte duke e përdorur aplikacionin Tinder.

Bota e Simon Veil në këtë platformë rrëzëllente nga pasuria përrallore. Ai shihet si tepër i angazhuar në botën e biznesit. Po ashtu nuk nguronte ta ekspozonte jetën e tij ekstravagante, eksituese dhe përplot aventura. Në fotot që plasonte në rrejtët sociale, ai shihej me makina super-luksoze, aeroplan privat dhe duke udhëtuar nga njëri cep i planetit në tjetrin.

E të mos flasim për veshjet e tij, të gjitha të prodhuara nga markat dhe firmat më nam global, sikur se; Versace, Gucci, Louis Vuitton, Dolce&Cabbana, etj. Pra për të s’kishte pengesë që s’mund të kapërcehej. Mjaftonte t’i lindte dëshira për diçka dhe ajo plotësohej se hap e mbyll sytë. Dhe pikërisht me këtë stil jetese ai i tundonte viktimat e tij me premtimin për parajsën e munguar. Ua përndezte imagjinatën, shpresat për t’ua hapur dyert e jetës glamuzore, restoranteve më lukzose dhe me të shtrenjta si dhe të mirave tjera të pafundme.

Skema e mashtrimit ishte identike me çdo njërën prej tyre. Në fillim i trajtonte me delikatese. U premtonte dashurinë e përjetshme. Krijim të familjes etj etj. Dhe pas pak kohe u dërgonte video se si është në rrezik jeta e tij. Se si truproja i tij me emrin Peter, e kishte pësuar dje nga një sulm i orkestruar nga armiqtë e tij të shumtë në botën e biznesit. Dhe se ishte rekomandim i ekipit të tij të sigurisë që ai nuk guxonte t’i përdorte kartelat e tij bankare për ta maskuar vendndodhjen reale. Prandaj i duhej ndihma e tyre. Dhe kështu vazhdonte anatomia e këtij manipulimi.

Mirëpo, problemi ishte, siç thotë njëra nga viktimat e këtij mashtrimi të pashembullt, me emrin Cecilie, e cila ishte nga Norvegjia, por që jetonte atëbotë në Londër, se çdo gjë ishte false. Ai nuk ishte real. Madje, ishte kjo edhe që mori guximin ta denonconte Simon Veli-in, në një gazetë norvegjeze, sepse ky i fundit vetëm kësaj kishte arritur që t’ia merrte deri në 250 mijë euro. Apo siç, deklaron një tjetër viktimë e këtij mashtrimi, ai pa mjetet financiare të të tjerëve nuk ishte askush dhe nuk posedonte asgjë.

Megjithatë, siç pohon Nancy Jo Sales, në një shkrim në prestigjiozen britanike The Guardian “From Anna Delvey to the Tinder Swindler: why do we fall for the TV scammers?” zhvillime të tilla tashmë nuk janë raste të izoluara, por po janë bërë një “epidemi” masive. Dhe e tëra kjo, për shkak të presioneve që po i krijon media sociale nëpërmjet promovimit konstantat të sistemit të jetës së modeleve të kësaj bote.

Studimet kanë treguar pohon kjo gazetare se sot shumica e njerëzve me anë të këtyre platformave krahasojnë “jetën e tyre më pak të pasur me atë p.sh.m të Kim Kardashian-it. Me këtë rast ata pushtohen nga një vetë-vlerësim i ulët për veten e tyre, sidomos të rinjtë dhe të rejat.

Kurse nevoja për ta tejkaluar këtë ndjenjë të cenuar të vetë-respektit merr përmasat e një etje edhe me të madhe”. Në këtë kontekst, rrjetet sociale janë shndërruar në një hapësirë “ideale” për t’i kërkuar alternativat e tejkalimit të kësaj kontradikte, pra për t’u arratisur sa më shpejt nga gjendja reale e për ta shijuar jetën e idhujve të famshëm të modës, biznesit, pushtetit dhe spektaklit ditor të politikës.
Prandaj, edhe viktima më e spikatur e kësaj tendence tashmë po bëhet edhe dashuria. Sepse, tashmë kjo ndjenjë në vend se të jetë ashtu, siç thoshte dikur Hegeli, “ ku me anë të saj njëra vetëdije nëpërmjet tjetrës arrin përsëri te vetvetja, esenca e së cilës ishte njohja”, por e ka marr trajtën, reklamës, modës, mallit dhe konsumit.

Kurse, Erich Fromm-i, në librin e tij “Të Kesh apo të Jesh”, tregon për mënyrën se si bëhet i mundur ky introjekim psikologjik. Sipas tij, dashuria nga parim i qenies, i nënshtrohet satandarteve dhe normave socio-ekonomike të posedimit dhe mallit. Prandaj, në vend se të jetë një forcë e ngritjes dhe zhvillimit, ajo shndërrohet në burim të rënies dhe dramave personale dhe shpirtërore. Këtë rrezik e pasqyron dokumentari “The Tinder Swindler”.

Të ngjashme