Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo e shënoi një het-trik që e dërgoi skuadrën e tij në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kjo gjë e ka gëzuar ish-trajnerin e tij në Real Madrid, Carlo Ancelottin.
Ronaldo e filloi ndeshjen e së martës kundër Atletico Madridit me vetëm një gol të shënuar në gjashtë paraqitje të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.
Juventusi ishte afër për t’u eliminuar nga Liga e Kampionëve këtë sezon, pasi e kishte humbur ndeshjen e parë kundër madrilenëve me rezultat 2:0, në stadiumin Wanda Metropolitano.
Por, Atletico Madridi dhe trajneri Diego Simeone pësuan përsëri nga Ronaldo, i cili i shënoi dy gola me kokë dhe një penallti për t’ia siguruar skuadrës së tij fitoren me rezultat 3:0 dhe kualifikimin në çerekfinale.
Ancelotti e njeh talentin e Ronaldos më mirë se shumë të tjerë, për shkak të të kohës që këta të dy kishin kaluar bashkë në Santiago Bernabeu, Italiani nuk mundi ta fshehë lumturinë e tij për paraqitjen e 34-vjeçarit.
“Të gjithë presin që niveli i paraqitjeve të tij të ulet, por një gjë e tillë nuk ndodh kurrë. Ronaldo, veçanërisht në këto ndeshje të rëndësishme, nuk dështon asnjëherë”, ka thënë trajneri aktual i Napolit.
“Ai e bën dallimin. Ka shumë lojtarë të mrekullueshëm të cilët nuk mund të performojnë në ndeshje të mëdha. Ronaldo gjallërohet në këto ndeshje. Ky është dallimi mes një lojtari të mrekullueshëm dhe një kampioni të mrekullueshëm, si ai”.