Arsyet e ndryshme të vonesës së vaksinimit në vendet aziatike

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Është përllogaritur që në të gjithë globin të distribuohen më shumë se 160 milionë vaksina kundër COVID-19, mirëpo deri më tani shumica e tyre kanë përfunduar kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë.

Në rajonin aziatik, programet e vaksinimit janë duke u zhvilluar në mënyrë më të ngadaltë, ndërkaq India, e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, ka pranuar rreth 14 milionë doza që nga janari.

Megjithëkëtë, në vendet e tjera të botës, programet e vaksinimit ose nuk kanë filluar fare ose janë ende vetëm në fazën fillestare. Arsyet për këtë gjë dallojnë – duke filluar nga skepticizmi i lartë ndaj vaksinës. Në vijim është një analizë e hollësishme mbi gjendjen e vaksinimit në disa vende, si dhe arsyet e ndryshimeve vend për vend, që qëndrojnë prapa procesit.

Frika dhe dezinformimi

Në ishujt e Filipineve, shumë njerëz ende e rikujtojnë frikën e shkaktuar nga vaksina Dengvaxia, e cila ishte zhvilluar në vitin 2016 për trajtimin e sëmundjes së etheve tropikale. Dy vjet më vonë i gjithë programi ishte pezulluar papritmas, shkaku i dyshimeve në efektet anësore, kur disa fëmijë kishin vdekur pak kohë pas vaksinimit.

Sekretari i Shëndetësisë në Filipine ishte akuzuar për këtë shkak, në atë që kishte gjeneruar pakënaqësi. Zyrtarët e shëndetit publik kanë thënë se incidenti kishte nxitur skepticizëm ndaj vaksinave, duke i rrezikuar planet e vendit për përdorimin e vaksinave, si një mënyrë për të shpëtuar nga pandemia.

Një sondazh i fundit ka sugjeruar se vetëm 19 për qind e shtetasve të Filipineve – apo një në çdo pesë të rritur – kishin shprehur vullnetin për t’u vaksinuar. Sidoqoftë, një grumbull vaksinash kundër COVID-19 do të arrijnë shumë shpejt në këtë vend.

Anijet e ngarkuara me vaksinën kineze “Sinovac” kanë mbërritur në Filipine më 28 shkurt, në kuadër të dërgesës së parë të tillë në këtë shtet. Vendi e ka autorizuar përdorimin emergjent të “Sinovacut”, pak ditë pas mbërritjes së ngarkesës.

Sipas Virma Simonettes nga BBC-ja, e cila raporton nga Manila, udhëtimi ishte supozuar të fillonte më 15 shkurt, por nuk ndodhi për shkak se anijet nga “Pfizer”-“BioNTech” dhe “Astrazeneca” – që të dyja këto vaksina të miratuara për përdorim emergjent – nuk arritën me kohë. Vaksinat e “Astrazenecas” arritën më 4 mars. Edhe në Pakistan frika është një faktor ndikues që është shfaqur, si pasojë e dezinformatave dhe disa videove efektive virale.

Në një video virale nga viti 2020, një mësues i një shkolle private shihet tek bërtet dhe bën me gisht në drejtim të një grupi djelmoshash, që dukej se po e humbnin vetëdijen. Ai e fajëson vaksinën, duke thënë se fëmijët janë “pa vetëdije” dhe i kritikon zyrtarët që i kanë obliguar për t’i marrë. Për shkak të kësaj, një grup personash ia vënë flakën një klinike.

Kjo video dhe të tjerat të ngjashme kanë kontribuar në uljen e shkallës së vaksinimit në nivel vendi. Ndonëse janë fshirë nga mediat sociale, miliona njerëz tashmë i kanë parë. Kjo gjë i ka ndikuar në planet për vaksinimin e popullsisë kundër COVID-19.

Qasja e kujdesshme

Në vendet e tjera aziatike, ku programet e vaksinimit veçse kanë filluar, zyrtarë e ekspertë pretendojnë se duhet më shumë kujdes, por jo ngurrim. Shumë prej këtyre vendeve kanë qenë në gjendje që ta mbajnë pandeminë nën kontroll dhe konsiderojnë se e kanë luksin e kohës.

Catherine Bennett, epidemiologe në Universitetin e Deakinit në Australi, ishte cituar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” të ketë thënë se këto vende kanë qenë në gjendje të marrin të dhëna për gjërat çfarë ndodhin në rastet e mbidozës aksidentale dhe mënyrën se si ndikon vaksina tek gratë shtatzëna, pa e vënë në rrezik popullatën e tyre.

Kryeministri i Koresë Jugore, Chung Sye-kyun, e ritheksoi këtë kur e mbrojti shpërndarjen e vonshme të vaksinave nga Qeveria e tij – duke filluar nga 25 shkurti. Ai ka thënë se vonesa ishte e qëllimshme, ngase Qeveria synonte që të kuptonte se si funksionon vaksinimi në vendet e tjera.

Vendet e tjera të rajonit, si Singapori, Kamboxhia e Vietnami, kanë pasur komente të ngjashme rreth rëndësisë së “pritjes”, të krijuar nga qeveritarët. Pavarësisht vonimit, shumë shtete shpresojnë të fillojnë vaksinimin. Për shembull, Koreja e Jugut po synon ta arrijë imunizimin deri në vjeshtë. Tajlanda do të nisë me procesin e vaksinimit në mars, por shpreson ta vaksinojë gjysmën e popullsisë deri nga mesi i vitit.

Ngurrimi për vaksina

Në Japoni, ku vaksinimi i suksesshëm po shihet si thelbësor për mundësinë që vendi të bëhet nikoqir i Lojërave Olimpike verore, ashtu siç është planifikuar pas shtyrjes së vitit të shkuar, ngurrimi për vaksina ka kohë që po paraqitet si problem. Vendi e ka shkallën më të ulët në botë të besueshmërisë në vaksinë.

Mjeku Riko Muranaka, studiues në Universitetin e Kyotos, mendon se ka pasur mungesë të një strategjie kohezive për ta shpjeguar rëndësinë e vaksinës te publiku, por ka bërë të ditur gjithashtu se kryetitujt “sensacionalë” rreth vaksinave kanë pasur ndikim të ngjashëm.

Japonia e ka shtyrë miratimin për përdorimin e vaksinave, si ajo e “Pfizerit”.

Në deklaratën për BBC-në, Muranaka ka thënë se pandemia nuk e ka goditur edhe aq shumë Japoninë krahasuar me vendet e tjera, porse njerëzit ende nuk e kuptojnë “idenë” e marrjes së vaksinës. \ BBC

Të ngjashme