Aurora Ramadani emërohet drejtoreshë e Administratës në Ferizaj

Ferizaj | 02 Maj 2018 | 18:33 | Nga

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, pas katër muajsh qeverisjeje, ka vazhduar të përmbushë një nga premtimet për më shumë femra në vendimmarrje. Sot në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, kryetari Aliu emëroi drejtoreshë Aurora Ramadanin, vendim ky i cili ka bërë që qeveria lokale të përbëhet nga tri femra.

Edhe pse pas një fotografie që u shkrep në zyrat e komunës, drejtoresha e re kishte ikur për Prishtinë, nënkryetari Naim Ferati tha para medieve se ajo është një kuadër që do t’i plotësojë synimet e qeverisjes Aliu, raporton Tv Tema.

“Me angazhimin e ri që ka zotëri Faruk Hyseni në njërën nga ndërmarrjet publike në Ferizaj, që deri më sot ishte drejtor i Administratës së Përgjithshme, sot kryetari Aliu ka pranuar propozimin e partnerit të koalicionit që të emëroj Aurora Ramadanin drejtoreshë të Administratës së Përgjithshme. Një kuadër i ri, profesional, ambicioz dhe e cila i plotëson të gjitha kushtet e parapara dhe të paraqitura nga kryetari i komunës zotëri Agim Aliu. Sigurisht që kjo është edhe një projeksion i kryetarit Aliu që qeverisja lokale të jetë përkundër moshës relativisht të re të ketë edhe barazi gjinore si dhe përfaqësim të gruas në këtë qeverisje. Drejtoresha e re që nga nesër do të jetë në krye të kësaj drejtorie dhe pritet që kjo drejtori të ketë edhe avancime të reja”, tha Ferati.

Brenda katër muajve të qeverisjes, në përbërjen e ekipit të kryetarit Aliu tashmë janë ndërruar emrat në dy drejtori. Se sa shihet eksperiment politik ky në opinion publik, nënkryetari Ferati ka një përgjigje.

“Unë besoj që nuk bëhet fjalë për eksperiment politik, por bëhet fjalë për realizim të platformës politike të kryetari që edhe koncepti i tij qeverisës fitoi në zgjedhjet e fundit dhe po besoj që kjo është në kuadër të realizimit të procesit qeverisës dhe nuk ka asnjë gjë tjetër që mund të spekulohet në qytet dhe kujtojmë që në çdo institucion proceset e ndërrimit të pozitave vijnë në kuadër të avancimit të platformave qeverisëse. Aurora sigurisht që është propozim i AAK-së, por natyrisht që ky emërim ka ardhë në konsultë me kryetarin e komunës dhe me strukturat udhëheqëse të partisë”, tha Ferati.

U bë e ditur se drejtoresha e sapoemëruar e Administratës së Përgjithshme është juriste dhe ka 23 vjeç.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme