Avokatët thonë se bastisjet nga hetuesit e Speciales po bëhen kundër rregullave

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Tek pasi i arrestuan e i dërguan në Hagë ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, e deputetin Rexhep Selimi, hetues të Dhomave të Specializuara kryen bastisje në shtëpitë e tyre. Kjo sipas avokatëve të licensuar për të mbrojtur raste në Gjykatën Speciale, po konsiderohet në kundërshtim me rregullat.

Bastisjet nga hetues të Dhomave të Specializuara në vendbanimet e ish-Presidentit, Hashim Thaci, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, e deputetit Rexhep Selimi, po konsiderohet të jenë kryer jashtë rregullave, nga avokatë të licensuar për të mbrojtur raste në këtë Gjykatë.

Avokati Artan Qerkini thotë se bastisja duhet të kryhet para se të ndodhë arrestimi i të dyshuarve.

“Kur një aktakuzë është e konfirmuar, ajo na jep të kuptojmë se faza e hetimeve ka përfunduar. Kështu që ndërmarrja e veprimeve procedurale, jo në përputhje me fazën e procedurës në të cilën gjendet cështja penale, përbën shkelje ligjore dhe për rrjedhojë të gjitha provat eventuale të siguruara nga ky veprim potencialisht mund të shpallen si prova të papranueshme, deklaroi për RTV Dukagjinin, Artan Qerkini.

Qerkini tregon për një rast kur ndaj një klienti të tij janë bërë shkelje procedurale dhe pas ankesës së tij në Gjykatën Kushtetuese, prokurori është tërhequr.

“Ankesa më është aprovuar në shkurt të vitit 2019 dhe për rrjedhojë prokurori e ka tërhekur një urdhër, do të thotë shkeljet procedurale janë prezente, as prokuroria e as gjykata nuk janë imune ndaj tyre”, deklaroi më tej Artan Qerkini, përcjell Telegrafi.

E avokati tjetër i licensuar nga Gjykata Speciale, Kadri Osaj, thotë se në vazhdimësi janë hasur veprime të Dhomave të Specializuara, të cilat kanë qenë në kundërshtim me ligjin.

“Në vazhdimësi tek kjo gjykatë hasim në veprime që biejnë në kundërshtim me ligjin, sidomos rastet e caktimit të paraburgimit edhe pse me Ligjin për dhomat e specializuara me Kushtetutën e Kosovës, me konventën evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive, duhet t’u jepet mundësia palëve në një procedurë sa më të shkurtë t’i japin argumentet në lidhje me privimin nga liria”, deklaroi Kadri Osaj.

Ndryshe nga Thaci, Veseli e Selimi, ish-zëdhënësi i UCK-së, Jakup Krasniqi, u arrestua pas përfundimit të bastisjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme