Bahtiri thotë se Kosova me arrestimin e Gjuriqit dëshmoi se është shtet

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 15:41 | Nga

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se me arrestimin e Marko Gjuriqit, kryetarit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Kosova ka dëshmuar se është shtet.

Këtë deklaratë, Bahtiri e dha në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve, një ditë pas arrestimit dhe dëbimit të Gjuriqit.

Në njoftimin e Komunës së Mitrovicës thuhet se Bahtiri theksoi se “shteti ynë u ka dhënë leksion të gjithë atyre që nuk e njohin Republikën tonë, ata duhet të dinë se Republika e Kosovës ekziston dhe se organet e saj janë të gatshme të veprojnë në çdo moment”.

Në këtë takim, si pika të rendit të ditës u diskutua edhe për dëmtimet që i janë bërë Qendrës Tregtare.

Në njoftim thuhet se Bahtiri ka kërkuar nga të gjithë drejtorët të dërgojnë kopjet e kontratave që kanë pasur me kontraktues në mënyrë që të krijohet një listë e përgjithshme e obligimeve financiare.

Drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti, në fjalën e tij theksoi edhe një herë lidhur me rëndësinë e kontraktimit të kompanisë për rrënimin e objekteve pa leje. Ndërsa drejtori i prokurimit Bekim Mujka, njoftoi se kjo çështje është në procedurë, shpallja e tenderit është bërë dhe se brenda një muaji pritet të përfundojë kjo çështje.

“Në këtë mbledhje u fol edhe për çështjen e rregullores për mbrojtjen e fëmijëve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre, me çrast drejtori Hysni Ahmeti i njoftoi të pranishmit se kjo rregullore është në proces të hartimin në zyrën ligjore për to votuar më pas në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Në mbledhje u njoftua se rruga magjistrale Mitrovicë – Podujevë, saktësisht në fshatin Trepça vazhdon të jetë e bllokuar. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, ka thënë se dëmtime ka edhe rruga Trepçë – Melenic – Vllahi. U propozua edhe fillimi i rregullimit të rrugës e cila shkon nga Melenica – Lagjja “Cimili”, Vidishiq dhe Bare, sepse aktualisht rruga Mitrovicë – Bare – Bajgorë është e bllokuar.

Ky propozim u miratua dhe u rekomandua që menjëherë të fillojë hapja e rrugës alternative.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme