Bajrami në Turqi: Kosova ofron fuqi punëtore të arsimuar

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 16:10 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka marrë pjesë në Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë – Turqi i cili është mbajtur në Stamboll të Turqisë.

Ministrja Bajrami tha se shteti i  Kosovës është e interesuar t’i forcojë marrëdhëniet ekonomike me Republikën e Turqisë, dhe forumet sikur ky janë një mundësi e mirë që bizneset tona t’i forcojnë bashkëpunimet në sektorë të ndryshëm të industrisë.

“Duke qenë vend me 70% të popullsisë nën moshën 35 vjeçare, Kosova ofron fuqi punëtore të arsimuar dhe konkurruese me vendet e rajonit” tha Bajrami.

Gjithashtu ajo tregoi se Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e disa institucioneve tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, raporton Ekonomiaonline.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash më qëllim të përmirësimit të ambientit të bërit biznes, fuqizimin e sektorit privat dhe të sigurojë një rritje ekonomike stabile”, ka thënë Bajrami.

Ministrja Bajrami shpjegoi para afaristëve pjesëmarrës mundësitë që ofron Kosova për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Ajo përmendi angazhimet e qeverisë së Kosovës në përmirësimin e legjislacionit, infrastrukturës, rritjen e efikasitetit të administratës shtetërore për bizneset, etj.

Bajrmai u tregoi investitorëve nga Turqia edhe për Ligjin për Investime Strategjike, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke thënë se ky ligj pritet të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja direkt në Kosovë.

Ministrja Bajrami i ftoi kompanitë nga Turqia të investojnë në Kosovë dhe të bashkohen me kompanitë e tjera turke që kanë filluar aktivitetin e tyre në Kosovë në shumë sektorë të rëndësishme si në: energji, ndërtim, banka, shëndetësi.

Në këtë forum të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Këshilli Ekonomik për Bashkëpunim (DEIK) dhe Oda Tregtare Kosovare-Turke po marrin pjesë 68 kompani turke dhe 6 kompani kosovare.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme