Ylli i Real Madridit, Gareth Bale, thotë se nuk duhet të ketë nxitim për të rifilluar La Ligën pas pezullimit nga përhapja e koronavirusit, pasi Federata e Futbollit e Spanjës po planifikon testime të futbollistëve dhe rikthim të skuadrave në stërvitje.
Testimi i futbollistëve po diskutohet me qëllim të përfundimit të sezonit, në mënyrë që të shmanget fatkeqësia financiare.
Në fakt, liga e Spanjës po insiston se të gjithë futbollistëve dhe trajnerëve duhet t’u bëhen testet në baza ditore kur ekipet të rikthehen në stërvitje. Edhe Bale ka pranuar se në fillim dëshironte rikthimin në fushë, por duke pasur parasysh situatën me koronavirusin, uellsiani thotë se është më mirë që të pritet edhe pak, pra të mos nxitohen me rifillimin e kampionatit që u pezullua muajin e shkuar.
“Të gjithë duan të luajnë futboll, por gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të qëndrojnë të sigurt, ne nuk duam të rikthehemi shumë herët. Ne duhet të sigurohemi që gjithçka të bëhet në mënyrë të sigurt, në mënyrë që të shmangim valën e dytë të këtij virusi”, ka insistuar Bale.
Bundesliga në Gjermani, ku ka pasur shumë më pak vdekje shkaku i koronavirusit, tashmë ka konfirmuar se është gati për të rifilluar më 9 maj, por i duhet miratimi i qeverisë. Rafael Ramos i Shoqatës spanjolle të mjekëve të ekipeve të futbollit tha se La Liga po planifikon të kthehet në veprim në një seri fazash.
“Ideja, sipas La Ligas, është që të provojnë të gjithë më 28 dhe 29 prill”, ka thënë Ramos, duke shtuar se lojtarët dhe trajnerët do t’u nënshtroheshin testeve të koronavirusit çdo tri apo katër ditë.
Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, tha se disa alternativa për një rikthim në aksion tashmë janë shqyrtuar dhe data 4 maj është planifikuar që ekipet elitare të dalin në stërvitje. Megjithatë, ai shtoi se asgjë nuk është definitive.
“Skenarët që ne po i shikojmë parashohin që La Liga të rifillojë më 28-29 maj, por mund të jetë edhe 6-7 qershor ose edhe më së voni më 28 qershor”, tha Tebas, duke llogaritur se rikthimi mund t’ua shpëtojë klubeve spanjolle një miliard euro në të ardhura nëse përfundojnë La Ligan dhe garat evropiane.