Banka Qendrore dhe odat ekonomike koordinojnë propozimet për rimëkëmbjen ekonomike

Prishtinë | 02 Kor 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të takimeve të rregullta me qëllim të koordinimit të propozimeve të përbashkëta për rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID19, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi si dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka.

Guvernatori Fehmi Mehmeti prezantoi propozimet e Bankës Qendrore të Kosovës për institucionet qeveritare duke theksuar nevojën e mbështetjes më të madhe për industrinë e prodhimit në vend. Në të njëjtën kohë guvernatori Mehmeti sqaroi edhe dispozitat e Udhëzuesit për Ristrukturimin e Kredive për Shkak të COVID-19 duke shprehur besimin se bankat komerciale do t’u dalin në ndihmë ndërmarrjeve të prekura.

Drejtuesit e odave ekonomike në anën tjetër elaboruan propozimet e të dyja odave përkatëse të cilat përfshijnë rekomandime për përkrahjen financiare por edhe për lehtësira fiskale për bizneset. Propozimet e përbashkëta të Bankës Qendrore të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë përfshijnë edhe pikat e intervenimit legjislativ të cilat do të mundësonin zbatimin e masave të propozuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme