BE e shqetësuar me votën mbi Brexit-in në Britani

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Këshillit të BE-së tha se “bllokimi” i Brexit-it mund të zgjidhet vetëm në Londër, sepse sipas tij, BE-ja ka bërë gjithçka të nevojshme.

Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar se ka bërë pjesën e saj për të siguruar një marrëveshje mbi Brexit-in, megjithatë mundësia e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja pa një marrëveshje është rritur.

Zëdhënësi i Këshillit të BE-së, Preben Aaman, për AA tha se blloku 28-anëtarësh është i shqetësuar me rezultatin e votimit në parlamentin britanik.

Aaman tha se “bllokimi” i Brexit-it mund të zgjidhet vetëm në Londër, sepse sipas tij, BE-ja ka bërë gjithçka të nevojshme.

Duke theksuar se kanë mbetur vetëm 17 ditë nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, ai tha se, “Me votimin e sotëm, mundësia e largimit pa marrëveshje është rritur seriozisht. Ne do të vazhdojmë të përgatitemi për një largim pa marrëveshje”.

Votimi mbi Brexit-in

Kryeministrja britanike, Theresa May, dështoi të ndryshoj tekstin e marrëveshjes, gjë që tërhoqi reagim për shkak të “artikullit paraprak” lidhur me kufirin e Irlandës së Veriut.

Megjithatë, ajo u pajtua me BE-në në një dokument të përbashkët që sqaroi afatin e përdorimit të artikullit.

Sot më herët, parlamenti britanik refuzoi “marrëveshjen e përmirësuar” të kryeministres May, në një votim me 391 kundrejt 242 votave.

Parlamenti të mërkurën do të votoj mbi një Brexit pa marrëveshje, ndërsa të enjten do të votoj për prolongimin e datës së Brexit-it, të planifikuar për në fund të mujit.

Të ngjashme