BE-ja pranon kërkesën e qeverisë britanike për shtyrjen e Brexit-it

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian (BE) ka pranuar kërkesën e Britanisë së Madhe për shtyrjen e Brexit-it në mënyrë fleksibile deri më 31 janar 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në një mesazh në Twitter njoftoi se 27 vende të BE-së kanë pranuar kërkesën e Britanisë për shtyrjen e Brexit-it.

Ai tha se anëtarët e BE-së kanë miratuar “një shtyrje fleksibile”. “BE ka pranuar kërkesën e Britanisë së Madhe për shtyrjen e Brexit-it në mënyrë fleksibile deri më 31 janar 2020”, shkroi ai.

Tusk tha vendimi do të zyrtarizohet me anë të një procesi me shkrim.

Sipas kësaj, në rast se Britania miraton marrëveshjen e arritur me BE-në për largim para 31 janarit 2020, do të mund të largohet nga Unioni para kësaj date.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të vendit nga BE-ja përkundër 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur në vitin 2016.

Brexit ishte planifikuar të ndodhë më 29 mars, por pasi Dhoma e Komunave e refuzoi marrëveshjen për Brexit-in, e njëjta ishte shtyrë për 31 tetor.

Të ngjashme