Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot kuvendin zgjedhor në Degën e Mitrovicës, ku me shumicë votash kryetar i Degës u zgjodh Bedri Hamza, i cili mbanë edhe pozitën e ministrit të Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
210 delegatët e kuvendit zgjedhor në Mitrovicë kanë zgjedhur po ashtu Këshillin Drejtues prej 71 anëtarëve dhe 21 delegatë për Konventën Qendrore.
Në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Kuvendin zgjedhor e përshëndeti shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi si dhe ministrja Dhurata Hoxha.
Krasniqi vuri në dukje angazhimin e gjithanshëm të strukturave për zgjedhjet e brendshme, proces i cili rikonfirmon fuqinë e jashtëzakonshme të anëtarësisë së gjerë të PDK-së.
“Dekada e Re, është platformë e cila i siguron qytetarëve të vendit me besim, zhvillim dhe integrim, hapësirë të gjithë qytetarëve, në veçanti rinisë dhe grave, duke e bërë këtë proces të jashtëzakonshëm, ashtu siç i ka hije PDK-së dhe vizionit të përqafuar nga qytetarët e vendit”, tha Krasniqi duke shtuar se zgjedhjet e brendshme riafirmuan potencialin politik e krijues të PDK-së, si parti e së tashmes dhe të ardhmes.
Ndërsa në fjalën e saj, Dhurata Hoxha vlerësoi se “Mitrovica merr vëmendjen më të madhe se zgjedhjet në degët tjera në vend, duke qenë degë e liderit tonë, Kadri Veseli dhe udhëheqësve të dëshmuar në nivel nacional. Këto zgjedhje, janë shtytje e re për organizim edhe më të mirë, gjithëpërfshirje dhe vlera me besim, zhvillim dhe integrim”, tha ajo.
Në emër të komsionit lokal zgjedhor, para qindra delegatëve të pranishëm kanë folur Arian Tahiri dhe Drita Kadriu, të cilët kanë konfirmuar se në secilën nëndegë të Mitrovicës PDK ka zgjedhur qytetarët më të mirë të lagjeve të cilët do të punojnë ngushtë për ta forcuar edhe më shumë Partinë Demokratike të Kosovës.