Begaj: Tensioni në veri erdhi si rrjedhojë e keqpërdorimit të serbëve e dhunës nga grupe kriminale

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se situata në veri të Kosovës nuk i shërben rajonit derisa është në proces të integrimit.

Begaj ka theksuar se tensioni i gjendjes në tri komunat veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, ka ardhur nga keqpërdorimi i popullatës serbe atje dhe dhunës nga grupet kriminale.

“Ndërkohë që ne të gjithë prisnim të zhvilloheshin negociata mes Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara në atë drejtim të zbatimit të asaj çfarë u dakordua publikisht në Bruksel dhe anekseve të Ohrit, kemi pasur një tensionim të situatës. Tensionim i situatës që ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe që jeton në veri të Kosovës dhe ushtrimit të papranueshëm të dhunës nga grupe kriminale që ushtruan dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, gazetarëve dhe trupave të KFOR-it”, ka thënë ai.

Ngjarjet në veri Begaj i sheh si sforcim i panevojshëm i energjive të ndërkombëtarëve, të cilët po angazhohen për shtensionimin e situatës.

“Çdo sjellje, çdo qasje, çdo ngjarje që nuk përputhet me normat dhe ligjet ndërkombëtare, natyrisht se sjell pasoja. Pasoja për vetë palët e përfshira, për rajonin dhe më tej për komunitetin ndërkombëtar, siç është rasti konkret, një sforcim i panevojshëm i energjive të komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve tanë strategjikë. Situata kërkon një zgjidhje që besoj do merret në konsideratë nga drejtuesit dhe nga të dy aktorët kryesorë”.

Nga 26 maji në tri komunat në veri të Kosovës kanë nisur protestat e qytetarëve serbë të cilët kanë kundërshtuar kryetarët e zgjedhur shqiptarë. Protestuesit e dhunshëm kanë sulmuar pjesëtarë të KFOR-it, Policinë e Kosovës e mediat. Ndërkombëtarët derisa kanë bërë thirrje për shtensionim, kanë deklaruar masa ndaj Kosovës, duke e larguar nga stërvitjet “Europe Defender 2023”, duke e paralajmëruar edhe për masa të tjera nëse nuk gjendet një zgjidhje.

Të ngjashme