Beogradi e merr si fakt poligrafin se Radoiçiq nuk e ka vrarë Ivanoviqin

Prishtinë | 28 Nën 2018 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Beograd, 28 nëntor – Dy ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Millan Radoiçiq, i cili ia doli të ikte nga Policia e Kosovës, tha se ai ishte marrë në pyetje në Beograd dhe se testimi me poligrafin e së vërtetës gjeti se “ai nuk është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”.

Sot, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se ndonëse testimi poligrafik nuk pranohet si dëshmi për gjyqin, ai tregon pa mëdyshje nëse dikush është ose jo fajtor, kurse Millan Radoiçiq ka kaluar nëpër poligraf dhe ai nuk është fajtor, nuk është përgjegjës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, transmeton Koha.net.

“Radoiçiq ka ardhur dhe ka dhënë deklaratë para organeve policore serbe, ka kaluar testimin poligrafik përmes të cilit është vërtetuar se ai nuk është autor i atij krimi”, e citojnë Gjuriqin mediat serbe.

Ky fakt, sipas tij, ka dëshpëruar shumëkënd që fajtorin për vrasjen e Ivanoviqit e kërkojnë në anën serbe.

“Jam thellësisht i bindur se kanë dashur ta likuidojnë Radoiçiqin, e po të likuidohej ai, do të mbetej fajtor përgjithmonë për vrasjen e Ivanoviqit. Por tani bie poshtë plani i Prishtinës dhe i një pjese të tellallëve vendës të cilëve u përputhen interesave të Prishtinës, ka thënë Gjuriqi sot para gazetarëve.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të këtij viti para zyrës së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa Policia Speciale e Kosovës arrestoi tre serbë të dyshuar për vrasjen e tij, përmes një operacioni, më 23 nëntor. Ajo e kërkoi si të dyshuar edhe Millan Radoiçiqin, por ai nuk u gjet në shtëpi, ndërsa u pa gjatë ditës në Beograd në një konference për media të Presidentit serb, Vuçiq, rikujton Koha.net.

© KOHA

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme