Beogradi i dërgon Prishtinës një raport me dëshmitë e të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Serbisë, Nela Kuburoviç, ka thënë se i kanë përcjellë Prishtinës një raport me dëshmitë e njerëzve të caktuar të cilat lidhen me hetimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

“Kjo thjeshtë tregon se Beogradi është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për t’iu përgjigjur të gjithë kërkesave të Prishtinës”, ka thënë ajo për tv Pink.

Ajo ka thënë se nuk ka pasur raporte të ngushta bashkëpunimi për hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, pasi që Prishtina ka refuzuar një hetim të përbashkët.

“Nëse do të ishin në dispozicion për të bashkëpunuar menjëherë sa i përketë të dhënave të Prokurorisë, besoj se sot do të kishim rezultate më të suksesshme të hetimit”, ka thënë ministrja.

 Ajo ka shpjeguar se komunikimi me autoritetet e Prishtinës është duke u bërë përmes zyrës së BE-së.

“Komunikimi shkon përmes zyrës së BE-së, kështu që ju keni prova se tashmë diçka është dorëzuar”, ka shtuar Kuburoviç.

 Ajo ka treguar se këto hetime është duke i udhëhequr Prokuroria për Krim të Organizuar në Beograd, Byroja e Sigurisë Kombëtare, Ministria e Brendshme e institucione të tjera.

Ajo ka thënë se kjo tregon gatishmërinë e shtetit për zbulimin e autorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Të ngjashme