Bregu: Është në dorën e rajonit të ruajë angazhimin për bashkëpunim rajonal dhe të sjellë progres të prekshëm për qytetarët

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Sekretarja e Përgjithshme e RCC mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP dhe drejtoi takimin e 12-të vjetor të RCC.

Të dy takimet janë mbajtur sot në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (SEECP) – takimi i Ministrave të Jashtëm të SEECP dhe Takimi Vjetor i RCC, u organizuan në kuadër të Kryesimit së SEECP nga Kosova*.

Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, shprehu mirënjohje të sinqertë për kolegët nga Prishtina “për të gjitha përpjekjet e investuara në këtë vit të kryesimit të SEECP, dhe përgëzoi Ankaranë për kryesim e ardhshëm të SEECP, dhe për mbështetjen e fortë për bashkëpunimin rajonal”.

“Bashkëpunimi rajonal ka uljet dhe ngritjet e tij, por kohë si këto kërkojnë thelimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Është arritur shumë, por mbetet edhe më shumë për të bërë. Rishpreh angazhimin se në RCC jemi të vendosur për të arritur rezultate, por bashkëpunimi rajonal nuk është një proces teknik, suksesi i të cilit varet vetëm nga takimet dhe strategjitë në letër. Është një proces politik, që ndikohet nga situatat politike dhe sfidat që janë të shumëfishta. Nuk mund të kemi sukses nëse nuk do të jemi të gjithë të angazhuar në mënyrë proaktive për të ndaluar kërcënimet ndaj stabilitetit dhe progresit rajonal”, shtoi Bregu.

Ministrat e SEECP falënderuan RCC për rolin konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe rikonfirmuan mbështetjen ndaj saj. Ndërkohë Takimi Vjetor i RCC miratoi Raportin Vjetor të Sekretares së Përgjithshme për periudhën 2019-2020 dhe mbështeti plotësisht punën e RCC për zhvillimin e Planit të ardhshëm të Veprimit për një Zonë Rajonale Ekonomike (REA), dhe për Strategjinë për Evropën Jug-Lindore 2030 (SEE 2030).

“Problemet rajonale kërkojnë zgjidhje rajonale. Që integrimi ekonomik rajonal të ketë sukses dhe të lidhë plotësisht rajonin me tregun e përbashkët të BE-së, ne kemi nevojë për qartësi dhe gatishmëri politike të të gjithë aktorëve dhe partnerëve për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor. Është në dorën e vetë rajonit që të ruajë përkushtimin për bashkëpunim si mjet i cili në mënyrë të pandryshueshme mund të sjellë përparim të prekshëm dhe të mos zhgënjejë mbështetjen e madhe të qytetarëve për bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE”, përfundoi Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.

*Pjesëmarrësit e Takimit Vjetor të RCC gjithashtu patën mundësinë të njihen me gjetjet e sondazhit vjetor më të fundit të RCC për qytetarët dhe bizneset, Barometri Ballkanik 2020 (BB2020), dhe edicionin e tij special që mat efektet e shkaktuara nga COVID-19 tek qytetarët dhe bizneset, të prezantuara publikisht një ditë më parë.

Të ngjashme