Buxheti i miratuar në Malishevë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 10:49 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Malishevës për miratimin e buxhetit komunal për vitin 2019 është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ka vlerësuar niveli qendror i qeverisjes. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përmes shkresës ligjore të dërguar në adresë të autoriteteve lokale të Malishevës ka kërkuar që organet komunale ta harmonizojnë këtë akt me dispozitat ligjore në fuqi.

“Përmes zyrtarëve të monitorimit/Departamentit Ligjor dhe Monitorimit të Komunave ka identifikuar se Kuvendi i Komunës së Malishevës ka miratuar vendimin nr. 02-383 për miratimin e projekt-buxhetit të Komunës së Malishevës për vitin 2019-2021. Pas vlerësimit të detyrueshëm të ligjshmërisë MAPL ka konstatuar se ky vendim është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, thuhet në shkresën e MAPL-së.

Kjo ministri ka sqaruar se neni 61 i ligjit të sipërpërmendur përcakton se pas miratimit të propozim-buxhetit komunal nga kryetari i Komunës, i njëjti është i obliguar që deri me 1 shtator të vitit përkatës fiskal t’ia dorëzojë atë KK-së.

Në vijim, sipas MAPL-së, KK-ja duhet të mbajë dëgjime publike dhe më pas duhet të shqyrtojë dhe ta miratojë atë, si dhe t’ia dorëzojë Ministrit të Financave propozim-buxhetin. Ministria po ashtu ka theksuar se buxheti i miratuar i Komunës duhet të jetë në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 20 të këtij ligji dhe me udhëzimet e dhëna në qarkoret buxhetore të nxjerra nga ministri i Financave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme