Certifikohen instruktorë të FSK-së për fitnes fizik 

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 16:22 | Nga

Në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, u mbajt ceremonia e certifikimit të 15-të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilët për dy javë më radhë, nga 11-26 korrik 2016, ndoqën trajnimin intensiv, “Kursi për Trajnimin Fizik”, i cili trajnim u realizuar nga instruktorë të Shkollës Ushtarake për fitnes fizik të Mbretërisë së Bashkuar dhe instruktorë të FSK-së.

Qëllimi i këtij trajnimi, i cili u realizua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar, ishte që të investohet sa më shumë në aftësimin dhe ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, për instruktorë të fitnesit fizik.

Fillimisht, pjesëtarët e FSK-së, para të pranishmëve demonstruan disa nga ushtrimet e mësuara si: Cikël ushtrimesh me pajisje të improvizuara, tipat dhe llojet e ndryshme të vrapimeve, fitnesi fizik ushtarak, poligoni me pengesa etj., të cilat demonstrime nga të pranishmit u vlerësuan lartë për aftësitë fizike dhe mendore të treguara gjatë paraqitjeve.

Me këtë rast, gjeneral brigade Zymer Halimi, në emër të FSK-së falënderoi Mbretërinë e Bashkuar, Ambasadën dhe instruktorët ushtarakë të saj, për ndihmën që ata ofruan për përgatitjen e instruktorëve të fitnesit fizik,  si dhe i përgëzoi instruktorët dhe pjesëtarët e FSK-së për angazhimin dhe suksesin e treguar gjatë këtij trajnimi.

Gjeneral Halimi, duke iu drejtuar instruktorëve të FSK-së, kërkoi nga ta që të vazhdojnë me trajnime të mëtejme, të cilat më pas t’i praktikojnë nëpër njësitet tjera të FSK-së, “sepse kështu mund të bëheni shembull i mirë në nivel të njësitit, batalionit dhe më gjerë”.

Ai me këtë rast tha se edhe kërkesa e komandantit të FSK-së, gjeneral Ramës ka qenë shumë e qartë lidhur me udhëzimet e tij  për fitnesin fizik si prioritet, i cili duhet të bëhet normë-standarde për nënoficerët dhe ushtarët e FSK-së.

Në fund, mesazhi i gjeneral Halimit për instruktorët e FSK-së ishte “se vetëm me punë profesionale dhe këmbëngulëse mund të arrini rezultate të shkëlqyeshme dhe të bëheni shembull i mirë për të tjerët”.

Ndërkaq, në emër të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, të gjithë të pranishmit i përshëndeti kolonel Perry, i cili në veçanti përgëzoi instruktorët ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ata të FSK-së, për paraqitjen dhe demonstrimin e shkëlqyeshëm të ushtrimeve gjatë këtij trajnimi.

Ai kërkoi vazhdimin e ushtrimeve të tilla, me qëllim të arritjes së standardeve të NATO-s. Gjithashtu kolonel Perry, premtoi mbështetjen e FSK-së në këtë drejtim edhe në të ardhmen.

Në fund, gjeneral Halimi, kolonel Spahiu i ngarkuari me punë i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar Daniel Fearn, kolonel Perry, ndanë certifikatat e diplomimit për pjesëtarët e FSK-së dhe instruktorët e Mbretërisë së Bashkuar. Instruktorët britanikë për paraqitje të shkëlqyeshëm gjatë këtij trajnimi zgjodhën si më të mirin ushtarin Emir Vllasa, i cili nga Mbretëria e Bashkuar përfitoi një trajnim falas në Londër.

fsk fsk2 fsk4 fsk5 fsk6

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme