Cila është detyra e deputetit/deputetes?
Të lexojë dokumente, ligje, projektligje, raporte; të mbikëqyrë punën e qeverisë; të mbajë kontakte me bazën elektorale; të marrë seriozisht shqetësimet e qytetarëve; t’u kërkojë llogari ministrave dhe qeverisë në tërësi për realizimin e premtimeve; të përcjellë zhvillimet në rajon dhe në BE; të këqyrë pak rreth e rrotull e më larg se çfarë po bëjnë të tjerët më mirë dhe çka mund të mësojmë; të zhvillojë ide se çfarë synon të arrijë gjatë legjislaturës së ardhshme; pse jo, edhe të lexojë ndonjë libër.
Kjo vlen për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Kosovës, e sidomos për këta të partisë që ka dalë e para dhe, me gjasë, do ta krijojë qeverinë e re. Zelli i tepruar për të komentuar çdo zhvillim në partitë e tjera nuk është tregues i seriozitetit politik. Partitë e tjera do të arrijnë apo do të përfundojnë aty ku e meritojnë, falë gabimeve apo sukseseve të tyre.
Është mirë që secila parti të merret me punët e veta. Dhe prodhimi politik të jetë konkret, jo vetëm një grumbull shkronjash nëpër media (a)sociale.