Kur e analizon skenën politike të Kosovës së çliruar në vitin 1999 e të pavarësuar në vitin 2008, e ke të vështirë ta kuptosh se nga burojnë gjithë këto anomali në mendësinë, strukturën dhe praktikën politike. Një vend i shumëvuajtur dhe i çliruar me ndihmën vendimtare të NATO-s, do të duhej të kishte në këto vite një skenë politike më të butë, më kooperuese, më të motivuar për zhvillimin e vendit dhe për shërimin e pasojave që ka lënë pushtimi i gjatë dhe posaçërisht i egër në vitet e fundit të tij. Vendi që vetëm falë ndërhyrjes së NATO-s shpëtoi nga zhbërja totale, me anën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb, do të duhej të bëhej model i ndjeshmërisë refuzuese ndaj të keqes, ndaj dhunës dhe model i luftës për dinjitetit e të gjithë banorëve të vet. Falja dhe durimi do të duhej të ishin kategoritë më të larta morale, ndërsa drejtësia postulati kryesor i politikës dhe i gjithë pushteteve që u ngritën me shumë mund. Por, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ashpërsimi i komunikimit dhe i raporteve po zgjatë me vite, pa gjasa që të shkëputet nga kjo trashëgimi shumë negative. Madje edhe gjeneratat e reja, të cilat për fatin e tyre të mirë tashmë janë të shkëputura plotësisht nga ndikimi direkt i politikës serbe, nuk janë të shpëtuar nga pasojat që ka lënë mbrapa ajo mendësi, sepse ata duke imituar të preferuarit e tyre më të vjetër, tërthorazi marrin disa nga veset dhe metodat e importuara nga politika serbe.
Cila është prapavija e “shtetit të papërfunduar”?
Meqë Kosova nuk ka pasur ndonjë traditë të jetës politike të pavarur, ajo trashëgiminë në këtë fushë e ka të huazuar. Paradoksalisht, huazimi më i dukshëm është nga vetë Serbia, okupatori i deridjeshëm i saj, i cili gjatë nëntëdhjetë viteve ka injektuar në mendësinë tonë politike disa nga idetë dhe nga praktikat e ndjekura prej saj. Pra, është fjala për injektim të padukshëm e tinëzar të atyre ideve dhe praktikave, e jo për një huazim të ndërgjegjshëm. Jam i bindur se po të ekzistonte ndërgjegjësimi se këto ide dhe praktika janë me prejardhje nga pushuesi, do të refuzoheshin me forcë nga qytetarët shqiptarë, sikundër që janë refuzuar shumë vlera të tjera që kanë mbajtur etiketën e pushtuesit. Por, injektimi ka qenë i ngadaltë, perfid, përmes elitave të rekrutuara, që kanë imituar politikanët dhe intelektualët serbë e jugosllavë. Ashtu kanë hyrë gradualisht edhe shprehje, barcoleta, gjeste, elemente të veshjes e të dukjes dhe bashkë me to edhe vese, kaprice, mënyra të menduari e të vepruari. Ku shihet kjo trashëgimi politike, e mbetur si një virus i fshehur në jetën politike të vendit tonë?
E para, shihet në konceptimin e shtetit. Serbia që nga krijimi i saj e deri sot, gjithmonë është karakterizuar si „shtet i papërfunduar“. Kjo do të thotë se kufijtë që ka pasur e edhe ata që i ka sot, nga serbët konsiderohen si të përkohshëm, që vetëm pritet një moment i përshtatshëm që ata të ndryshojnë, duke krijuar ndonjë strukturë më të madhe shtetërore, ndonjë bashkim sipas sloganit „Të gjithë serbët në një shtet“. Me këtë koncept politik, Serbia ka provokuar edhe Luftën e Parë Botërore, pas vrasjes së dukës Ferdinand në Sarajevë në vitin 1914. Me këtë koncept edhe Millosheviqi e filloi agresionin e Serbisë ndaj Kroacisë, duke piketuar kufirin e ri në linjën Karllovac-Virovitica-Karllobag. Ndërsa, në Bosnjë e Hercegovinë Serbia synoi të merrte sa më shumë territore, gjë që edhe rezultoi me një akord morbid ndërmjet Millosheviqit e Tuxhmanit, me ç’rast gjatë një darke ata e ndanë shtetin boshnjak duke e vizatuar ndarjen në një sallvetë! Sa i përket Kosovës, ajo konsideroej brenda kufijve të shtetit serb, por me një ndryshim demografik: që territori të zbrazej tërësisht nga shqiptarët! Edhe pas dështimit të turpshëm të këtij projekti të krijimit të një shteti “të përfunduar“, gjë që u sanksionua edhe me dënimin e drejtuesve të shteti serb nga Tribunali i Hagës, Serbia ende punon që Kosova dhe BeH të bëhen shtete të dështuara në mënyrë që të mundësohet një „anshlus“ eventual i Republika Sërpskas dhe i Kosovës. Pra, dështimi llogaritet si shans për ta përfunduar shtetin e Serbisë, sipas konceptit nacionalist “Të gjithë serbët në një shtet“.
Fatkeqësisht, një pjesë e mendimit politik shqiptar edhe në Kosovë e më gjerë, është i atillë që Kosovën e koncepton si „shtet të përkohshëm“, i cili u dashka që sa më shpejt të bashkohet me Shqipërinë. Sipas këtij konceptimi, për t’u bashkuar me Shqipërinë, ky shtet duhet të bëhet i dështuar e mandej të bëhet bashkimi me „shtetin amë“. Përderi sa të jetë aktive kjo mënyrë e konceptimti të shtetit në jetën politike të vendit, kjo do të jetë e rrezikshme për suksesin e Kosovës si shtet, sepse një shtet i dështuar nuk mund të jetë i aftë për bashkim me askend. Përkundrazi, një shtet i dështuar mbetet cak legjitim i ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar, gjë që është përligjur si praktikë pas 2001, me ndërhyrjen në Afganistan. Kosova edhe pas pavarësimit të saj, ka prezencë ndërkombëtare, prandaj zërat politikë që angazhohen për dështimin e tij, me idenë për ta bashkuar me Shqipërinë, vetëm sa e tejzgjasin atë prezencë dhe atë ndërhyrje. Një lloj ndërhyrjeje, në formë presioni që të frenohen qëllimet agresive të Serbisë, ndodh edhe ndaj vetë Serbisë, që të mos lëvizë drejt „shtetit të përfunduar“ i cili nënkupton Serbinë e Madhe, pra agresionin ndaj shteteve më të dobëta fqinje. Bisedimet e tashme ndërmjet Beogradit e Prishtinës, realisht janë në funksion të frenimit tët ambicieve serbe për të vazhduar politikën tradicionale drejt një shteti „të përfunduar“, që do të thotë drejt një Serbie të Madhe.
Plumba për kundërshtarët politikë
Nga ana tjetër, edhe koncepti për shtetin partiak është koncept tipik i praktikave politikave serbe, e jo i atyre europiane. Partia/partitë që e marrin pushtetin në Serbi, nuk kanë më kufizime në politikat qeverisëse, po bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Edhe pushteti gjyqësor mbetet i varur dhe nën presionin e pshtetit politik, ashtu që askush nuk përgjigjet as për abuzime dhe krime të rënda. Po të shohësh në Serbi, praktikisht asnjë nga vrasjet e gazetarëve dhe politikanëve opozitarë nuk është ndriçuar plotësisht dhe shumë nga fajtorët janë të lirë. Fatkeqësisht, as në Kosovë nuk ka ndonjë ndjeshmëri për ndriçimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas çlirimit të vendit.
E treta, trajtimi i kundërshtarëve politikë si armiq, është praktikë tradicionale e politikës serbe. Po të shikohet historia e luftës politike në skenën e Serbisë, ajo është monstruoze, me vrasje mbretërish, kryetarësh e hierarkësh të lartë të shtetit e të partive politike. Kjo praktikë e shëmtuar e ka bërë Serbinë gjatëe këtyre njëqind e njëzet e pesë vjetëve, një shtet të frikshëm, ku goja mund t’u mbyllet kundërshtarëve edhe me thika e me plumba. Te ne kjo nuk është dukuri, por është tendencë latente, që nuk duhet të injorohet. Kam frikë se po të mos ishte prezenca e fuqishme ndërkombëatre e KFOR-t dhe e EULEX-it, edhe kjo trashëgimi negative, tipike për politikën serbe, do të kishte reflektimet e saj të errëta në jetën politike të vendit.
E katërta, foklorizimi dhe populizmi janë elementë të ligjërimit politik edhe ndër ne, ndërsa në ligjërimin politik serb, janë dominuese. Dëgjojini fjalimet e Nikoliqit, Daçiqit e Vuqiqit dhe lehtë do të zbuloni se sa elementë folklorizimi dhe populizmi ka në fjalimet e tyre, duke e maskuar të vërtetën. Thënia e famshme e Petar Petroviq Njegoshit, „ Le të bëhet ajo që nuk mund të bëhet“ është filozofia kryesore e folklorizmit dhe populizmit serb, i cili përpiqet t’i paraqesë si mundshme gjërat që nuk janë të mundshme. Këtë tendencë e gjeni edhe në ligjërimet e jo pak politikanëve tanë.
Shërbimet sekrete si zbatuese të dhunës politike
Një tjetër trashëgimi negative e politikës serbe është edhe ndikimi i shërbimeve sekrete në politikë dhe në jetën e vendit. Ndërhyrja e shërbimeve sekrete në Serbi ka qenë e tillë që ka prodhuar vrasjen e mbretit Aleksandër Obrenoviqit, të ish presidentit Ivan Stamboliqit, të kryeministrit, Zoran Gjingjiqit, po të përmenden vetëm disa nga titullarët më të lartë të pushtetit në Serbi. Gjatë sundimit komunist serbo-jugosllav, shërbime sekrete UDB dhe shërbimi sekret i ushtrisë, KOS, kanë bërë shumë krime të shumta kundër kundërshatrëve ideologjikë, si brenda ish Jugosllavisë, ashtru edhe jashtë saj. Edhe disa nga atentatet ndaj shqiptarëve janë vepra të këtyre shërbimeve famëkëqia. Serbia e ka krijuar atë traditë të keqe që shërbimet sekrete të kenë primatin e pararojës politike dhe kombëtare. E frikshme për çdo shtet, sepse ky model e ngulgfatë demokracinë dhe e mban popullin në frikë.
E lidhur me këtë praktikë të ndërhyrjes së shërbimeve sekrete është edhe thashethemnaja kundër kundërshtarëve politikë e njeërzve më përgjithësi, e cila i helmon marrëdhëniet midis njerëzve. Kush i ka lexuar qoftë dhe vetëm tregimet dhe dramat e shkrimtarit serb, Stevan Sremacit, e di që intrigat dhe thashethemet janë pjesë e përditshmërisë së jetës së serbëve dhe prej andej ajo është bërë ndikuese edhe në politikë. Smira e famshme që thotë: “da komsiji crke krava“, (Që komshiut t’i ngordhë lopa“, e sublimon tërë atë keqdashje tërë atë inat, që është i akumuluar në një mendësi provinciale dhe primitive, për të cilën Radomir Konstantinoviqi ka shkruar traktatin e famshëm “Filozofia e pallankës“.
Thashethemet dhe shpifjet gëlojnë edhe sot në politikën dhe në jetën shoqërore serbe. Mjafton të lexohen gazetat ditore në gjuhën serbe dhe të shihet se lufta politike edhe sot bëhet me thashetheme dhe me shifje më shumë se me gjithçka tjetër. Kjo trashëgimi negative, e cila është mjaft prezente në komunikimin politik ndër ne, do të duhej të çrrënjosej plotësisht, duke shkuar drejt europianizimit të komunikimit, ku ballafaqimi i argumenteve dhe gjykimi kritik e logjik është parimi kryesor i çdo komunikimi.
Edhe pasurimi enorm dhe joligjor i politikanëve dhe qeveritarëve është një traditë e famshme e Serbisë. Ajo edhe motivon shumë konflikte dhe qërime hesapesh me metoda të dhunshme të pasanikëve, që kanë fituar duke i shërbyer pushtetit.
Të gjitha këto janë elemente të politikave të dhunshme, që prodhojnë paligjshmëri dhe e dënojnë shtetin me ngecje dhe e komprementojnë para botës. Si të tilla këto mendësi, këto struktura dhe praktika, duhet të shmangen nga jeta jonë politike e shoqërore. Duhet të shmangen, sepse jo rastësisht Serbia është shteti me disponimin më të fuqishëm antieuropian e antiperëndimor.
Meqë jemi çliruar fizikisht prej prangave të Serbisë, duhet sa më shpejt e sa më energjikisht të çlirohemi edhe nga pasojat, që në formë virusi ajo ka lënë ndër ne, si trashëgimi tinëzare të saj.