Demolli informon diplomatët e rinj nga Shqipëria për zhvillimin e FSK-së

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 16:13 | Nga

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli, priti në takim drejtorin e Akademisë Diplomatike shqiptare, Edmond Trako, këshilltarin e Ministrisë për Punë të Jashtme të Shqipërisë, Martin Gjoka dhe Romina Hyseni, diplomate në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, si dhe një delegacion të diplomatëve të rinj nga MPJ e Shqipërisë.

Gjatë  këtij  takimi ministri  Demolli i njoftoi diplomatët shqiptarë lidhur me  misionin, detyrat, aktivitetet, zhvillimet dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërkombëtar të MFSK dhe FSK me partnerët strategjikë të vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit, ministri Demolli foli në veçanti për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, për synimet e Kosovës për anëtarësim  në NATO dhe Bashkim Evropian, e gjithashtu edhe për anëtarësimin e Kosovës në iniciativat rajonale, evropiane dhe globale.

Diplomatët shqiptarë duke paraqitur një varg pyetjesh me interes nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes, falënderuan ministrin e FSK-së, Haki Demollin, për pritjen dhe për informacionet e shumta që ai solli për ta rreth zhvillimeve në FSK dhe zhvillimeve të përgjithshme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme