Dënohet me 6 muaj burgim me kusht pasi pranoi se ia dha 10 euro ryshfet policit në kufi

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Shtetasi i Republikës së Shqipërisë, Miri Duka u dënua me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë, pasi pranoi se ia dha 10 euro ryshfet policit në pikën kufitare në Vërmicë.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të enjten nga gjykatësja Raima Elezi, pasi Duka fillimisht u deklarua fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa dhe pas konsultimit me avokatin e tij Avni Berisha, i akuzuari Duka pranoi fajësinë për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Në këto rrethana, gjykatësja Elezi më pas shpalli aktgjykimin, sipas të cilit dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse Duka nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.

Ai gjithashtu obligohet të paguajë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Gjykata gjithashtu vendosi për konfiskimin e kartëmonedhës prej 10 euro, si mjet i kryerjes së veprës penale.

Gjykatësja Elezi bëri të ditur se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditë nga dita e pranimit të së njëjtit në forme të shkruar.

Ndryshe, me shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit u ndërpre masa e paraburgimit, ne të cilën gjendej nga 8 janari.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 19 janar 2022, e ngarkon Miri Dukën se më 8 janar 2022, rreth orës 00:15 minuta, në vendkalimin kufitar të Vermicës, në mënyrë të tërthortë i ofron përfitim personit zyrtar, policit kufitar Abdullah Shala, në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Duka gjatë kalimit të Pikës kufitare të Vërmicës nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës me kamionetën e tipit “Mercedes”, për t’i krijuar lehtësirë vetes pasi nuk kishte autorizim të vulosur për drejtimin e kamionetës nga pronari Milaim Thaqi, i prezanton dokumentet e kërkuara nga ana e zyrtarit policor, ku në mes të dokumenteve në lejen e qarkullimit të automjetit kishte vendosur 10 euro ryshfet.

Për këtë, sipas prokurorisë ai ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet.

Të ngjashme