Dështon seanca për mashtrim me subvencione ndaj zyrtares së Komunës së Prishtinës

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 18:53 | Nga

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e zyrtares së Komunës së Prishtinës, Zoja Krasniqi, e cila akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “konflikt i interesit” dhe “mashtrim me subvencione”.

Në këtë rast, për mashtrim me subvencione akuzohen edhe Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi dhe Valon Bllacaku, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela.

Shkak i dështimit të shqyrtimit fillestar ishte mungesa e tre të akuzuarve Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi dhe Valon Bllacaku.

Sipas gjykatëses, Naime Krasniqi-Jashanica të akuzuarit e kanë pranuar ftesën, mirëpo nuk kanë ardhur në seancë, andaj në pamundësi të mbajtjes së saj, ajo e ka caktuar seancën e radhës për 25 prill 2018, nga ora 14:00.

Prezent në këtë shqyrtim ishte prokurori i rastit Arian Gashi, Zoja Krasniqi, e cila akuzohet për veprat penale “konflikt interesi dhe “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe dy të akuzuarat për “mashtrim me subvencione”, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qelaj .

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zoja Krasniqit, Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi, Valon Bllacaku, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprat penale si në vazhdim:

Zoja Krasniqi akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2011 deri në vitin 2014 në cilësinë e personit zyrtar në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës kishte vepruar në kundërshtim me ligjin dhe detyrat e saj zyrtare.

Sipas akuzës, Zoja Krasniqi  kishte shqyrtuar dosjet për projekte të ndryshme për kandidatët që kishin aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, e në këto dosje e projekte kishin marrë pjesë kunata e saj Albulena Rama dhe vëllai i saj, Arben Gashi dhe si rezultat në këto projekte që ata kishin qenë të angazhuar kishte pasur interesa të drejtpërdrejta.

Me këtë pretendohet se e njëjta kishte kryer veprën penale “konflikt i interesit” nga neni 424 i KPK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, Krasniqi me qëllim të përfitimit material kishte përpiluar dosje fiktive dhe kishte ndihmuar familjarët e saj Armend Gashin, Albulena Ramën dhe Valon Bllacakun duke iu mundësuar që të fitonin shuma të parave deri në 20,000 mijë euro për projekte të ndryshme nga subvencionet që Komuna e Prishtinës i kishte ndarë. Krasniqi thuhet se si zyrtare në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, kishte qenë anëtare e komisionit për vlerësimin e tenderit tradicional në shah dhe gjatë shpalljes së tenderëve kishte përfituar materialisht vëllai i saj Armend Gashi, shumën prej 4,000 mijë euro.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 422 I KPK-së.

Albulena Rama-Gashi akuzohet se në vazhdimësi kishte aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, me projekte fiktive duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj Zoja Krasniqit, ku sipas aktakuzës, kishte arritur të fitonte shumën prej 10,150.00 euro në emër të subvencioneve, të cilat para dhe fonde ishin përdorur për qëllime të tjera.

Andaj Rama-Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim në subvencione” neni 336 I KPRK-së.

Albulena Rama-Gashi dhe Dafina Cela akuzohen se kanë aplikuar për subvencione në projektin e Albulena Ramës me emrin “Suksesi varet nga projektet” dhe në “Rinia Jonë” duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të saj të akuzuarës Zoja Krasniqi dhe kishin arritur të përfitonin 1,115.00 euro nga Komuna e Prishtinës.

Albulena Rama-Gashi dhe Arjeta Korqai thuhet se në bashkëveprim kishin aplikuar në Komunën e Prishtinës për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e të rinjve në procesin e integrimit evropian” dhe kishin arritur të fitonin shumën prej 800,00 euro në emër të këtij subvencioni.

I akuzuari Armend Gashi, sipas aktakuzës, kishte aplikuar në disa projekte po ashtu në Komunën e Prishtinës, nga viti 2011 e deri në vitin 2014 dhe duke shfrytëzuar pozitën e motrës së tij, Zoja Krasniqit kishte arritur të përfitonte 10,500.00 euro.

Kurse, i akuzuari Valon Bllacaku nga Prokuroria Themelore akuzohet se në vitet 2013-2014 kishte aplikuar për dy subvencione në projektin “ta ndihmojmë rininë në karrierë” dhe duke shfrytëzuar pozitën e Zoja Krasniqit, motra e  dhëndrit të tij, kishte përfituar edhe 2,300 euro.

Bllacaku, akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim në subvencione” vepër kjo e paraparë në nenin 336 të KPRK-së./Betimiperdrejtesi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme