Dhëndurët patriarkalë dhe nuset e “qepura”

Prishtinë | 31 Kor 2016 | 23:11 | Nga Pranvera Sadria

Sezoni i nxehte i verës në Shqipëri ndjell kthimin sërish në atdhe të emigrantëve shqiptarë, te cilët jetojnë në pjesë të ndryshme të botës.

Shumica e tyre kanë kaluar vite e madje dekada nën strehën e jetës dashurore me femra të huaja: angleze, polake, lituane, italiane, greke, afrikane, kineze…

Jo pak nga këta “dhëndurë”, jo vetëm që kanë shijuar jetën në çift me këto femra, por madje dhe kanë sjellë në jetë fëmijë, të cilët rriten në shtete të huaja, ta zëmë Britania e Madhe, nën frymën e dy kulturave: asaj britanike nga ana e nënës dhe e asaj shqiptare nga ana e babait.

Nga ana tjetër, kemi çunat tanë shqiptarë, beqarët, të cilët janë ne kërkim të nuseve ne atdhe: S’ka aspak rëndësi për ta nëse janë pa të dashur apo me të, pa grua apo me grua, pa fëmijë a me fëmijë (me të huaja), por fokusi i tyre është ne atdhe, aty ku rriten “çupa si shenjtërore”, dhe falë Facebookut si dhe të afërmve që ata kanë atje, dy elementet kryesore të mblesërive, çunat tanë të nderuar mbushin avionët në këto ditë të nxehta vere, dhe turren drejt atdheut, aty ku “Maritë e virgjëra” presin burrat e tyre të ardhshëm.

“Where there’s a will, there’s a way”, thotë një shprehje në anglisht, që në shqip përkthehet: “Aty ku ka vullnet, ka dhe rrugëdalje”. Andaj kërkesa e parë që të nderuarit dhëndurë shqiptarë kanë është që të martohen me çupë të virgjër. Kjo është kërkesa kryesore. Fatkeqësisht, ata kanë lënë atdheun me vite me radhë, por ende jetojnë në atë epokën e atëhershme, duke pritur që në çfarëdo moshe nuset e tyre të jenë, ato të mos kenë pasur asnjë jetë personale.

Çdo femër në Shqipëri ka arsyet e veta përse të lidhet me një mashkull që kërkon nuse. E për fat të keq, këmbëngulja e çunave për virgjëri i çon ato drejt dyerve të klinikave private, ku mjafton një operacion i vogël që ato të kthehen në virgjëresha të përkushtuara!

Mjekët tanë gjinekologë këto ditë ndeshen çdo ditë me çuna emigrantë, që gëzojnë tek lidhin jetët me “virgjëreshat e mëmëdheut” ose “çupat e rivirgjëruara”. Është pikërisht kjo shoqëri kaq konservatore dhe jashtë date, ku duket që njolla e gjakut në çarçafë ende është pikë kryesore reference, për të vërtetuar karakterin e ndershmërinë e nuses së ardhme.

Dhe ka jo pak raste kur kemi raste të “çunave me të zgjuar” që e çojnë nusen tek gjinekologu, për të konfirmuar qe ajo ishte e virgjër – e ndryshe nga fare ndodhë në Angli apo në shtetet e tjera evropiane, gjinekologet janë të detyruar të japin konfirmim të gënjeshtërt – kryesisht pasi vajza qe testohet i thotë që burri do e lërë në rruge nëse mjekja i konfirmon që ajo nuk ka qenë e virgjër!

Fluksi i këtyre operacioneve magjike është rritur sidomos gjatë fillimit të korrikut, dhe po ashtu pritet të dyfishohet ose trefishohet në muajin e gushtit. Ka një numër jo të vogël “klinikash të rivirgjërimit” në Shqipëri, të cilat kryejnë një sasi mjaft të madhe operacionesh, dhe këto procedura nuk konsiderohen të jenë as të ligjshme por as të paligjshme.

Sigurisht, që çunat shqiptarë të lidhin martesa me vajza shqiptare është diçka tejet e bukur, por kërkesa e dhëndurëve është tejet diskriminuese, pasi ata presin që nusja/gruaja e tyre të mos ketë pasur jetë private, e madje me shume i gëzohen faktit të jenë të mashtruar, sesa të përballen me realitetin.

Në opinionin tim personal, çdo marrëdhënie, e sidomos martesa, duhet bazuar në të vërtetën e sinqeritetin, dhe ky fillim, ky themel që ata zgjedhin të krijojnë për martesën e të ardhmen e tyre është jo i shëndetshëm.

Nëse në fillim ata gënjehen nga ky mashtrim, do ta kalojnë pjesën tjetër të jetës duke pyetur veten nëse janë mashtruar apo jo. E nuk besoj që nuset e tyre do t’ua japin të vërtetën!

Janë pikërisht këta djem dhe burra që kanë ngelur në mes dy botësh: atë të vendit ku ata jetojnë, ku qëndrime të tilla merren me tallje, dhe atë të Shqipërisë, ku të gjithë flasin për nderin, ku një femër pa virgjëri ka vulën “kurvë”. Presioni i dhëndurëve i shtyn femrat të qepen dhe nëse ata e kanë të domosdoshme të shohin gjak në natën e parë, e morën – fare do fitojnë? Mund të kesh dhe një femër të virgjër me të cilën krijon familje të re, dhe nesër nëse ajo të tradhton – kur do e kuptoj dhëndri?

Sipas një studimi të bërë në 5 gjimnaze në Tirane, 20 për qind e vajzave kanë pasur kontaktet e para seksuale në moshën 13-vjeçare, ndërkohe që mëse 60 për qind e vajzave kanë kryer marrëdhënie seksuale para moshës 18-vjeçare.

Dhëndurët tanë të nderuar kërkojnë me ngulm vajza “të ndershme”, “punëtore”, “virgjëresha”, ndërkohë që vetë po ata kanë konsumuar një numër jo të vogël marrëdhëniesh seksuale me të huaja, madje pa pikë turpi dhe mburrin me këto të dashura, duke i quajtur “evropiane”, “liberale” etj.

“Lulëkuqja në çarçafë”

Nuk është kryesor fakti qe nusja të jetë vërtet e virgjër ai që dhëndurët tanë duan. Është në fakt shenja që ajo të jetë e virgjër. Më shumë se çdo gjë është kontrolli psikologjik dhe fizik që këta meshkuj duan të kenë mbi gjininë femërore.

Në kulturën tone, në kontekstin e dominimit mashkullor, mashkulli nuk ka nevojë të demonstroje asgjë, as qe është i virgjër apo që është i ndershëm, thjesht mjafton të jetë mashkull (e të jetojë jashtë po qe e mundur). Është absurde kërkesa dhe detyrimi që iu bëhet femrave në ketë rast, që në mjaft raste është dhe e pamundur të realizohet biologjikisht. Për sa kohë, shoqëria shqiptare të vazhdoje ta shohë gjininë femërore si të dobët, të brishtë, pronë e burrit, e supozuar vetëm për të prodhuar fëmijë dhe për të bërë punët e shtëpisë, rastet e rivirgjërimit do të vazhdojnë, dhe për fat të keq këto familje të reja do vazhdojnë të hedhin themelet e jetës se tyre ne rërë. Fatkeqësisht, familje të tilla mund të jenë dhe të lumtura për një kohë të shkurtër.

Rivirgjërimi, procedura

Rreth gjysma e femrave kanë një himen elastik, shenje virgjërie ndërkohë që pjesa tjetër pësojnë çarje të himenit e si rezultat këto të fundit kanë humbje virgjërie pa gjak.

Ndërkohe që femra zhvirgjërohet, është e mundur që ajo të kryeje një operacion rivirgjërimi, qepjeje, por në ketë rast koha deri në marrëdhënien e parë seksuale nuk mund të jetë më e gjatë se 1 javë. Pasi qepja bëhet me penj, dhe nëse kalon njëfarë kohe ata këputen dhe qepja duhet ribërë serish, ose femra nuk do të duket e virgjër. Pra s’do ketë as njolle gjaku gjatë marrëdhënies.

Çmimi për blerjen e virgjërisë përmes qepjes

Ndërkohe që në vendet e Evropës Perëndimore fillojnë nga 200 Euro, në vende të ndryshme të Evropës Lindore arrijnë deri ne 4 500 Euro.

Për “fat të mirë” në Shqipëri çmimi i blerjes se virgjërisë është mjaft i lirë. Çmimi është aq sa është çmimi i një vizite normale tek doktori. Kjo varet: 1 deri 3 mije lekë kushton procedura e qepjes, ndërkohë që shumë mjekë gjinekologë ua bëjnë dhe falas procedurën vajzave të cilat nuk kanë mundësi për të paguar për të blerë këtë gjë të humbur dikur në jetë.

Për të gjithë ata që jetojnë në Angli dhe preferojnë të pinë një kafe me një mik, blerja e virgjërisë për vajzat në Shqipëri kushton po aq sa kushton një vizitë për kafe te COSTA!

Për fund: Rruga e mbarë të dashur dhëndurë emigrantë. Kalofshi “testin” ju nuse që po bëheni gati për të veshur vellon e bardhe (simbol virgjërie), e nëse për burrat tuaj të ardhshëm shenja e virgjërisë ka me shumë vlerë se bazimi i jetës tuaj të re martesore në të vërtetën: U ectë mbarë!!!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme