Dhuna ndaj grave, kërkohet që gratë deputete të jenë më të zëshme në ndëshkimin e këtyre rasteve

Prishtinë | 10 Pri 2021 | 08:06 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti i Grave të Kosovës pret nga deputetet e Kuvendit që të jenë më të zëshme në ndëshkimin e dhunës ndaj grave, raporton Ekonomia Online.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të cilat u mbajtën në Kosovë, 44 gra arritën që të marrin votat e nevojshme për t’u bërë deputete të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë këtij mandati, 36.6 % e Kuvendit të Kosovës do të përbëhet nga gratë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se është shqetësuese rritja e rasteve të dhunës ndaj grave në familje.

“Si shoqëri civile dhe si organizata të grave ne presim shumë si nga politikanët ashtu edhe politikanet por veçanërisht i kemi sytë tek gratë deputete të cilat janë mbështetë edhe në një formë prej neve grave, ne kemi bërë gjithmonë thirrje që t’i votojnë më shume gratë e t’i mbështesin dhe me këto i kemi arritur që të kemi një numër më të madh të grave që  ndoshta në zgjedhjet e ardhshme nuk do kemi nevojë për kuotën fare dhe qytetarët do t’i votojnë. Por të njëjtën ne e presim nga to që t’i shtyjnë proceset në vendimmarrje”, tha Berisha.

“Po shpresoj që ky afektim nuk do mbes vetëm ndjenjë e momentit, por ka me qenë edhe si thirrje për veprim për me e ndëshkua dhunën aty ku e shohim, mos me tolerua por edhe m’u bë zëri i viktimave dhe atyre që ndoshta për shkaqe të ndryshme nuk e kanë guximin të kërkojnë ndihmë për veten e tyre”, deklaroi ajo.

Berisha tha se izolimi ka dëshmuar se është i rrezikshëm për gratë të cilat jeton me dhunuesin.

“Viti i kaluar sidomos kjo periudha e pandemisë ku veçse ishim në izolim, ka qenë edhe më shqetësues sepse ka treguar që për gratë dhe vajzat jeta në familje është e rrezikshme. Kemi pasur diku rritje,  30 deri në 40% raportime të rasteve të dhunës tek institucionet vendore, e përkatësisht këtu policinë dhe që tregojnë se edhe pse gratë u ballafaquan edhe me probleme tjera të pandemisë, ato u ballafaquan edhe me dhunën në familje. Po ashtu kemi pasur një numër të vrasjeve që na kanë shqetësuar shumë, raste tragjike, ku jetërat e grave u prekën prej ushtruesve të dhunës dhe që pastaj morën edhe jetërat e tyre duke i lënë rastet edhe më të prekshme për shoqërinë tonë”, theksoi tutje ajo.

Sipas Berishës,  institucionet e drejtësisë dhe të gjitha hallkat që merren me rastet kanë dështuar në trajtimin e rasteve.

“Del një rast dhe mandej neve po na bie të kuptojmë se si funksionon i gjithë sistemi i mbrojtjes dhe i parandalimit të dhunës në familje dhe fatkeqësisht po e shohim që i gjithë sistemi po dështon në një farë forme ku pa marrë parasysh se cili institucion është këtu kemi një zinxhir hallkash të institucioneve të cilat kanë rol dhe mandat ligjor për me iu ofrua ndihmë viktimave të dhunës në familje, por çfarë kemi parë ne është që secili nga këto hallka dështon. P.sh nëse i shikojmë rastet e fundit kanë qenë dështime të prokurorisë, dhe ta marrin rastin më seriozisht, pastaj nga ana e gjykatës. Pra gjitha këto edhe pse kemi një kornizë ligjore shumë të mirë, në zbatueshmëri këto norma patriarkale po penalizojnë edhe vendimet nga ana e institucioneve”, deklaroi ajo.

Si program kryesor ajo e sheh punën me fëmijët që nga parashkollorët, dhe që rritja e tyre të bëhet në mënyrë të barabartë.

“Duhet të punohet me fëmijë, duhet që nga parashkollorët që fëmijët të ndihen dhe të rriten të barabartë dhe ta respektojnë njëri tjetrin të barabartë, dhe e gjithë shoqëria të reflektojmë e që duhet të kujtojmë vetës që dhuna në familje është vepër penale”, përfundoi Berisha.

Sa i përket aspektit psikologjik dhe ndikimit që mund të ketë dhuna në familje, psikologu Petrit Thaçi në një intervistë për EO, tha që si pasojë e mentaliteti që mbizotëron në familjet kosovare, bën që dhuna të mbetet vetëm brenda katër mureve dhe të mos raportohet në organet kompetente.

“Kam parë gjatë përvojës time psikoterapeutike që shumica e familjeve kosovare qëndrojnë me atë parimin që jemi dikushi nëse nga të tjerët duartrokitemi, dhe nëse nga të tjerët nuk na vërehen dobësitë. E shoh që familjet kosovare preferojnë që gjërat e brendshme dhe brenda katër mureve të mbeten ashtu që t’i ruhet një lloj shenjtërie, një lloj privatësie që të ruhet ai koncept dhe përshtypja që kemi krijuar artificialisht për komshinjtë, dhe para shoqërisë. Dhe pikërisht kjo përbën hendek për raportimin e këtyre rasteve”, tha Thaçi.

Ai thekson që dhuna nuk ka gjini e nuk është e justifikueshme, dhe secila traumë cenon integritetin personal të personave.

“Çdo traumë e situatë stresuese  që cenon integritetin tonë personal, social ekonomik e seksual është një gjurmë që ka me mbet në kujtesën edhe personalitetin e njeriut, dhe do ndikojë në rënien e vetëbesimit, ka izolim shpesh edhe nga shoqëria, pastaj deri tek ideja e kryerjes së vetëvrasjes, që padyshim se bën problematikat e veta për personin dhe lë ngërçe në aspektin social e edhe personal. Dhuna në parim nuk ka gjini dhe nuk është  e justifikueshme, qoftë ndaj grave apo fëmijëve që janë si qenie pak më të ndjeshme dhe më të brishta, qoftë edhe dhuna që shpesh bëhet psikologjike edhe ndaj palës tjetër”, theksoi tutje ai.

Ai propozon që secila çështje që lidhet me dhunën duhet trajtuar me një vizion më të qartë dhe të gjitha institucionet duhet të jenë më të bashkuar dhe bashkëpunuese për të vetëdijesuar shoqërinë në parandalimin e dhunës.

“Kjo çështje duhet të trajtohet në kuptim më të gjerë institucional dhe vizionar, që fut në bashkëpunim të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit, një sensibilizim edhe përmes shkollave, përmes qendrave të mjekësisë familjare, përmes qendrave për punë sociale përmes konferencave dhe psikologët nëpër shkolla, që me u kuptua se sa vulgare është qoftë për shëndetin emocionale, atë mental dhe për shoqërinë dukuritë e tilla”, tha ai.

Zyra për medie e Policisë së Kosovës  ka njoftuar se gjatë vitit 2021, për muajt janar dhe shkurt janë raportuar 310 raste, që për dy muaj mund të cilësohen si një numër shumë i madh, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me të dhënat e kërkuara për dhunën në familje gjeni në vijim rastet:

Të ngjashme