Diçka e kalbur në tokën e Kosovës

Prishtinë | 24 Dhj 2022 | 00:11 | Nga Milazim Krasniqi

Janë me mijëra policë, ushtarë, paramilitarë e mercenarë serb që kanë kryer krime në Kosovë në vitet 1998-1999, të cilët deri sot nuk janë arrestuar për krimet që kanë kryer, madje as nuk janë paditur formalisht.

Me aq sa dihet, asnjë qeveri deri sot nuk i ka sistemuar dhe adresuar përgjegjësitë penale të atyre mijëra kriminelëve. Nga ana tjetër, një ish polic i policisë së Kosovës, Dejan Pantiqi, po mbahet në arrest të çuditshëm në pikën kufitare, meqë dyshohet për sulm kundër institucioneve.

Në rrethanat kur nuk mund të transferohet në gjykatë e eventualisht në burg, ai duket si peng më shumë se sa si i arrestuar. Por, nuk duke ashtu vetëm ai.

Si pengje po duken edhe ish kolegët e tij shqiptarë, që janë në detyrë në dy pikat kufitare, 1 dhe 31. Flitet se janë rreth njëqind policë shqiptarë atje, që nuk po mund të ndërrohen me të tjerë, shkaku i bllokimit të rrugëve. Përveç policëve, nga kjo krizë peng është duke u mbajtur mbarë Kosova, më së shumti nga shantazhimi i serbëve dhe i Serbisë, për lirimin e ish policit Dejan Pantiq.

Nga retorika e ngritur e politikanëve, në të dyja anët, nga protestat e serbëve në veri, nga eksplodimet e shok-bombave dhe nga barrikadat, përditë e më shumë po duket se konflikti me armë është në prag.

Prandaj pyetja që imponohet është kjo: nëse nuk mund të sillet në mënyrën e duhur ai ish polic në organet e drejtësisë, a ia vlen të mbahet peng mbarë Kosova për të, kur janë me mijëra policë, paramilitarë e ushtarë serbë që kanë kryer krime e nuk janë proceduar para drejtësisë ende?

A mund të lirohet Dejan Pantiqi e të ndiqet me procedurë të rregullt, siç bëhet shumë herë në vendin tonë?

Pyetja tjetër është edhe në e rëndë: me këtë arrestim problematik, mos ndokush po tenton të krijojë një pretekst për konflikt të armatosur ndërmjet qeverisë dhe pakicës serbe në Kosovë?

(Fjala vjen, për ta arsyetuar formimin e një autonomie politike për veriun, pas një konflikti që do ta tejkalonte kërkesën e tashme për formimin e Bashkësisë së Komunave?)

Kujt i konvenon konflikti i armatosur, i cili definitivisht mund ta federalizojë ose copëtojë vendin? Ka tri mundësi: e para, Albin Kurti ta ketë humbur racionalitetin dhe po kërkon sherr me çdo kusht, për projeksionet e tij iracionale. E dyta, aleatët janë lodhë me Kurtin dhe me këtë krizë po tentojnë që fillimisht ta poshtërojnë e mandej ta akuzojnë për krime, nëse ndodhë dhunë.

E treta, mund të jetë që Rusia ua ka imponuar axhendat, jo vetëm serbëve po edhe qeverisë sonë dhe komunitetit ndërkombëtar?

Në një rast të atillë do të mund të dyshohej për ndonjë marrëveshje xhentëllmene që ka ngelë pezull nga viti 1999, kur Rusia ishte palë me SHBA e BE, për të ndalë armiqësitë dhe për të gjetur një marrëveshje, mbase duke marrë si kompensim ndikimin a prezencën e saj në veriun e Kosovës.

Ahtisari ka lënë të kuptohet diçka të tillë. Ndryshe nuk kanë logjikë këto zhvillime absurde. Po të parafrazohej Shekspiri, do të mund të thuhej se diçka e kalbur është në tokën e Kosovës.

Të ngjashme