Më 22 dhjetor, dy tentime që kërkesa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, të dërgohet në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, kishin dështuar.
Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda kësaj partie ende ka mospajtime lidhur me këtë çështje, por që lideri i saj, Veseli, tashmë ka publikuar qëndrimin për Gjykatën Speciale.
“Për mua, deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Veselit, është deklaratë e përgjegjshme, një deklaratë për të cilën, deputetët, cilitdo qofshin, ata të Partisë Demokratike, duhet të reflektojnë, për një deklaratë që jep një orientim edhe për deputetët, por edhe për Partinë Demokratike të Kosovës”, thotë Haliti.
Por, Nait Hasani, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili është nga nismëtarët e kërkesës së nënshkruar nga 43 deputetë, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa e tyre mbetet në Kuvend dhe se nuk do të tërhiqet.
“Kërkesa e deputetëve, me 43 nënshkrues, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë, drejtuar Kuvendit të Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe Prokurorinë e Specializuar”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, deputeti Hasani, ka thënë se nisma e nënshkruar nga 43 deputetë për shfuqizim të Gjykatës Speciale, nuk është veprim për ta kundërshtuar bashkësinë ndërkombëtare.
“Ne nuk jemi kundër askujt. Por, meqë është krijuar dhe po kërkohet një gjykatë e këtillë, atëherë ne po kërkojmë që kjo ta ketë selinë në Kosovë. Një gjykatë vendore do të merrej me trajtimin e rasteve të tilla dhe ne jemi që me miqtë ndërkombëtarë të bashkëpunojmë dhe ta krijojmë këtë mundësi”, është shprehur deputeti Hasani.
Por, deputeti Haliti ka theksuar se numri prej 43 deputetësh të Kuvendit nuk nënkupton të gjithë Kuvendin, dy të tretat e të cilit, në vitin 2015 kanë votuar për Gjykatën Speciale.
“Ne nuk jemi ata që mund të veprojmë sot ‘për’ dhe nesër ndryshe. Unë kam qenë ai që ka kërkuar hetim ndërkombëtar, që kam kërkuar zgjidhje evropiane të problemit. Insistoj që kjo çështje, vërtet, të ketë një zgjidhje evropiane dhe të mos jetë as zgjidhje ballkanike, as zgjidhje kosovare, por të jetë një zgjidhje evropiane”, ka theksuar Haliti.
Në favor të shfuqizimit të Gjykatës Speciale është shprehur edhe Nisma për Kosovën.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një letre publike, kishte thënë se Gjykata Speciale do të ndodhë dhe se ky është veprim i pashmangshëm. Edhe sot, gjatë një takimi me Ambasadorin Amerikan në vendin tonë, Greg Delawie, Veseli ka thënë se Kosova do t’i qëndrojë pas obligimeve për Specialen.