Në një diskutim për sfidat dhe punën e mediave në vend, organizuar për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, u tha se Qeveria e Kosovës ka zgjedhur luftë me mediat, të cilat i fajëson edhe për raportin e DASH-it, raporton Ekonomia Online.
Në këtë diskutim të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe Komisionit të Pavarur për Medie (KPM), gazetarët shprehen shqetësimet e tyre për renditjen më të ultë të Kosovës nga “Raporterët pa Kufij”.
Gazetarët thanë se një raport të tillë e kanë pritur, sepse çdo ditë e ndjejnë “luftën politike” ndaj tyre.
Imer Mushkolaj, drejtori ekzekutiv i KMShK-së, ka thënë se renditja e fundit e Kosovës sipas “Reporterëvë pa Kufij”, më e ulëta në 10 vitet e fundit, tregon se ambienti i gazetarisë është vështirësuar shumë.
Ai ka thënë se Qeveria ka zgjedhur luftë me mediat dhe se ajo, hic më larg se dje, i ka fajësuar gazetarët dhe OJQ-të për raportin e DASH-it, sepse i kanë dezinformuar raportuesit.
“Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, ka thënë se renditja e Kosovës nga Reporterët Pa Kufij, në vendin e 75 në botë, 19 vende më poshtë sesa ka qenë vitin e kaluar, tregon që ambienti i të bërit gazetari në Kosovës po vështirësohet jashtëzakonisht shumë”.
“Renditja më ulët më 10 vitet e fundit është jashtëzakonisht shqetësuese. Raporti për Kosovën nuk ka pasur si të jetë ndryshe duke pasur parasysh qasjen që autoritet kosovare, këtë rast Qeveria, kanë pasur karshi mediave dhe gazetarëve. Për fat të keq ata kanë zgjedhur një rrugë të gabuar që ata e konsiderojnë betejë ose luftë me mediat”.
“Ne dje e dëgjuam një qëndrim të qeverisë Kurti, e dëgjuam një ministër të kësaj qeverie e cila besoni ose jo për raportin e DASH-it për korrupsionin, fajësoi gazetarët dhe OJQ-të duke thënë se këto media, gazetarë dhe OJQ kanë dezinformuar raportuesit që kanë hartuar raportin dhe për këtë arsye kemi këtë raport që është”, ka thënë ai.
Edhe gazetarja Gentiana Hasani ka thënë se një raport i tillë ka qenë i pritur për Kosovën, për shkak të asaj që si gazetarë e përjetojnë dhe ndjejnë në terren – luftën politike ndaj gazetarëve.
“Është raport që unë them se e kam pritur për shkak të krejt atyre që ne kemi përjetuar në teren. E kemi parë dhe e kemi ndjerë luftën politike ndaj gazetarëve në raportimet tona ditore. Kemi pasur një fushat denigruese ndaj secili gaztera që ka raportuar”, ka thënë ajo.
Gazetari Fatmir Menekshe, ka thënë se jo vetëm partia në pushtet por edhe partitë e minoriteteve kanë marr stilin e qeverisë duke u mundura që të ndikojnë në media.
“Jo vetëm partia në pushtet por edhe partitë e tjera komunitare që janë në rrethinën e partisë në pushtet kanë marrë stilin e njëjte dhe mundohen që të ndikojnë në media që të mos shkruajnë shume, të mos raportojnë shumë, apo të mos raportojnë shumë në teren”, ka thënë ai.
Ndërsa, Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, ka thënë se në raport përmendet se në Kosovë ka ligje të cilat garantojnë lirinë e shprehjes, por se e kundërta ka ndodhur. Raporti, sipas tij, është shqetësues për të gjithë.
“Metodologjia e raportit përfshinë edhe në aspektin e infrastrukturës ligjore në vend dhe aty më të drejtë përmendet fakti që në Kosovë ka ligje të cilat garantojnë lirinë e shprehjes, ka ligje që garantojnë mbrojtjen e burimeve të informacionit, ka ligje që garantojnë sinjalizuesit”.
“Metodologjia e raportit përfshinë edhe aspektin financiar të mediave, në këtë kuptim kemi të bëjmë edhe me vetë-cezurë të mediave për të shkuar përtej, pra në kuptim të raportim për shkak të vështirësive financiare. Edhe unë ndaj shqetësimin që kemi një rënie dhe kjo nuk na gëzon asnjë këtu”, ka thënë ai.