Dita Botërore e Akreditimit: Kosova synon përafrimin me standardet evropiane

Prishtinë | 11 Qer 2026 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit (DAK), ka organizuar shënimin e Ditës Botërore të Akreditimit, ku u theksua rëndësia e akreditimit për cilësinë, sigurinë dhe integrimin ekonomik të Kosovës në tregjet evropiane, raporton Ekonomia Online.

Ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo ditë shërben për të rikonfirmuar përkushtimin institucional ndaj cilësisë, sigurisë dhe integrimit evropian.

“Kjo ditë, është mundësi e mirë për të rikonfirmuar përkushtimin tonë ndaj cilësisë dhe sigurisë, ndaj zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit evropian. Akreditimi së bashku me standardizimin, metrologjinë dhe mbikëqyrjen e tregut, paraqet shtyllën kryesore të infrastrukturës së cilësisë që garanton besim te produktet, shërbimet dhe institucionet”, tha ajo.

Ajo theksoi se MINTI është duke ndërmarrë hapa konkretë për fuqizimin e infrastrukturës së cilësisë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, jemi duke ndërmarrë hapa konkretë, për të fuqizuar këtë infrastrukturë dhe për të ofruar më shumë me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim jemi duke punuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale, veçanërisht në fushat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe sigurinë e produkteve që qarkullojnë në tregun tonë. Po ashtu, jemi duke punuar në përmirësimin e kornizës ligjore, duke e përafruar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në përputhje me obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e stabilizim asocimit. Në kuadër të këtij procesi reformues, po punojmë në ristrukturimin organizativ të ministrisë dhe agjencive në kuadër të ministrisë tonë. Ky riorganizim do të rrisë efikasitetin dhe transparencën në punën që bëjmë për qytetarët tanë”, tha ajo.

Udhëheqësi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Boguslaw Gertruda, tha se Plani i Rritjes i BE-së krijon mundësi të rëndësishme për integrimin ekonomik të Kosovës.

“Plani i Rritjes i BE-së për Kosovën ofron, para së gjithash, mundësinë për të integruar zinxhirët e saj industrialë të vlerës në Tregun e Vetëm të BE-së dhe në Tregun e Përbashkët Rajonal. Akreditimi dhe vlerësimi i konformitetit të produkteve, qofshin ato industriale apo bujqësore, luajnë një rol qendror në këto përpjekje”, tha ai.

Gertruda shtoi se një sistem i besueshëm akreditimi është i domosdoshëm për eksportuesit dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

“Për bizneset, veçanërisht për eksportuesit, kjo nuk është një çështje abstrakte. Ata duhet të kenë besim se rezultatet e testimeve janë të sakta, se inspektimet janë të paanshme dhe se certifikatat vërtet nënkuptojnë atë që pretendojnë. Dhe kur rezultatet janë të besueshme dhe pranohen edhe jashtë vendit, kompanitë shmangin testimet e përsëritura, reduktojnë vonesat dhe ulin kostot e pajtueshmërisë. Ekonomia e Kosovës po i diversifikon gradualisht eksportet e saj me aktivitete premtuese në sektorë si përpunimi i metaleve forcimi i sistemit të infrastrukturës së cilësisë është thelbësor për të vazhduar këtë rrugë”, tha ai.

Përmes një video-mesazhi, Drejtoresha e Përgjithshme e organit belg të akreditimit BELAC dhe Presidente e Organizatës Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim, Maureen Logghe, vlerësoi punën e Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës.

“Sot jemi këtu për të shënuar Ditën Botërore të Akreditimit 2026. Por para së gjithash, do të doja të filloja aty ku ka vërtet rëndësi. Me Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës, DAK, dhe ekipin e saj. Ju jeni në qendër të festimit të sotëm. Çdo ditë, ju punoni në një mjedis kërkues dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Përballeni me pritshmëri në rritje, fusha të reja teknike dhe kërkesa që ndryshojnë vazhdimisht”, tha ajo.

Ajo tha se sfidat teknologjike dhe standardet e reja kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, por se puna e DAK-ut ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe shoqëri.

“Ju duhet të ecni në hap me zhvillimet e shpejta teknologjike, të kuptoni standardet dhe metodologjitë e reja, si dhe të siguroheni që vlerësimet tuaja të mbeten të qëndrueshme, të paanshme dhe të besueshme. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, megjithatë, përmes punës suaj, ju bëni një ndryshim shumë konkret. Ju mbështesni industrinë në demonstrimin e cilësisë dhe besueshmërisë. Ju ndihmoni bizneset të rriten dhe të konkurrojnë, dhe u jepni besim konsumatorëve dhe shoqërisë në tërësi”, tha ajo.

Të ngjashme