Djali i shefit të AKI-së ishte verifikuar nga policia si i dyshimtë edhe para rastit me armën

Prishtinë | 03 Nën 2018 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

Më 5 tetor të këtij viti, një javë para se Shpëtim Maxhunit t’i zihej armë në trup e drogë në veturë, Policia e Kosovës e kishte cilësuar si “person që duhej verifikuar”.

Nga burime të saja brenda hetimeve në Prokurorinë e Shtetit, gazeta ka mësuar se djali i shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, Shpëtim Maxhuni, është ndaluar në fillim të tetorit nga Policia e Kosovës. Por ky rast nuk është regjistruar askund, shkruan sot Koha Ditore.

Patrulla rrugore e kishte ndaluar Maxhunin, i cili atë ditë ishte i shoqëruar edhe me persona të tjerë. Pas ndalimit policët kanë kërkuar informacione në Qendrën e Komunikimit – Alfa Kontroll.

Njërit nga policët që ka qenë në ndërresë i është kërkuar verifikim i disa personave që ishin në veturë. Në mesin e tyre edhe djali i shefit të AKI-së.

Pikërisht ky polic po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës se në vazhdimësi ka bashkëpunuar me media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme