Speciales do t’i ikë kryeprokurori i dytë. David Schwendiman ka dhënë kumtin të enjten se do të largohet nga detyra e kreut të organit të akuzës, që ka mandat të hetojë pretendimet e senatorit Dick Marty të shprehura në raportin që mban vulën e Këshillit të Evropës, e në të cilin pjesëtarë të UÇK-së bëhen përgjegjës për krime lufte, shkruan sot Koha Ditore .
Në shtator të 2016-s amerikani Schwendiman ishte emëruar prokuror i specializuar, pozitë e barasvlershme me kryeprokurorin në të tjera prokurori. Nga maji i 2015-s kishte shërbyer si kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale (SIFT), pararendëse e organit të akuzës që është në kuadër të Speciales.
SIFT-n para tij e kishte drejtuar Clint Williamson, i cili në verën e vitit 2014-s pati njoftuar të ketë prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave, porse atë kohë mungonin Dhomat e Specializuara, para të cilave aktakuzat mund të ngriheshin.