Dy pacientët me Coronovirus në Shqipëri janë në gjendje të mirë

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në listën e vendeve të prekura nga koronavirusi. Institucionet shtetërore njoftuan në mesnatë se dy persona, babë e bir, kanë dalë pozitiv në analizat e bëra në laboratorët shqiptarë.

Dalin të dhëna të reja nga gjendja shëndetësore e dy personave të para të prekur me koronavirus në vendin tonë, babë e bir që janë tashmë në karantinë. Mjeku i njohur Tritan Kalo, ka thënë sot gjatë konferencës për mediat, se ata janë në gjendje shumë të mirë.

“Janë në gjendje shumë të mirë, unë vetë personalisht i kam vizituar vetë sot në mëngjes. Djali, ka nivel oksigjenimi shumë të mirë në mushkëri, me temperaturë maksimale 37.2, ka elementë pulmonar të përputhshëm me infeksionin e kësaj natyre. Ndërsa personi i kontaktit të ngushtë, që është infektuar kishte një oksigjenim pak më të ulët në përputhje me duhanpirjen kronike, por pa temperaturë me elementë shumë të vakët pulmonarë, janë në gjendje shumë të mirë dhe ka nisur mjekimi sapo janë hospitalizuar”- tha ai.

Ai përfitoi për të dhënë një mesazh optimist, e qetësues për gjithë popullatën, të cilës i kujton të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat e kërkuara nga specialistët. “Në bazë të shifrave janë 97% e të sëmurëve që shërohen plotësisht e kjo është shifër optimiste, ky virus ka vrarë mbi 3500 vetë”, tha ai.

Të ngjashme