Dy persona zhduken në det, policia gjen një varkë dhe një letër me mesazh

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 17:58 | Nga

“Unë jam Landi. Po mbytemi. Nuk kam më kohë. Jorgjita të kujdeset për fëmijët. Lekët i keni tek pllaka e fundit në banjo”.

Kjo letër është gjetur sot nga Policia e Vlorës gjatë kontrolleve për gjetjen e dy personave të zhdukur në det.

Policia kufitare në afërsi të zonës së Zvërnecit ka gjetur brenda në varkë këtë dorëshkrim i cili ishte mbështjellë dhe vendosur në shishe.

Identiteti i plotë i personit që ka lënë këtë mesazh nuk është bërë ende i ditur sepse nuk ka as denoncim nga familjarët e tij.

Në ndërkohë, prej katër ditësh, dy të rinj nga Vlora rezultojnë të humbur në det.

Sinjalin e kanë dhënë familjarët e të riut 32 vjeçar Santo Ymeraj, ku sipas tyre, ky i fundit ka dalë në det ditën e enjte në mbrëmje rreth orës 22:30 me një motor uji dhe komunikimin me familjarët e tij e ka bërë në orën 01:30 minuta të së premtes.

Sipas familjarëve, 32 vjeçari është shprehur në telefon me familjarët e tij, se: “nuk po shikon asgjë pasi deti ka shumë dallgë dhe është errësirë e madhe duke rrezikuar kështu të mbytet”.

Pasi familjarët kanë njoftuar policinë për situatën e djalit të tyre, kanë tentuar sërish të telefonojnë atë por telefoni i tij dilte i fikur.

Ndërkohë që policia e Vlorës ka nisur kërkimet që nga dita e premte dhe deri më sot nuk ka pasur asnjë shenjë jete, shkruan Top Channel.

Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se është dhe një person tjetër i cili rezulton i humbur.

Ndërkohë, policia e Vlorës po heton në lidhje me të dy rastet, nëse kanë lidhje me njëri-tjetrin, po ashtu mjete të shumta detare janë në kontrollë të zonës nga Sazani në Karaburun.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme