Dyshohet për organizim të grupit kriminal në zgjedhjet e 14 shkurtit, arrestohet pejani

Prishtinë | 16 Sht 2021 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se është ndaluar një person i cili dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se rasti ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kryer kontrolle dhe sekuestrime të përkohshme në një lokacion në komunën e Pejës, ndaj një personi të dyshuar me inicialet K.B., i cili është ndaluar për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, e që ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021”, thuhet në njoftim.

Te i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar dy telefonë, një çantë, revole, karikatorë e fishekë.

“Prokuroria Speciale njofton se gjatë kontrollit të dyshuarit i është gjetur dhe konfiskuar një I-Phone 7, një I-P-hone X-MAX, si dhe një çantë e vogël krahu së bashku me armën e shkurtë (revole) kalibri: 9X19 mm, dy karikatorë (jashtë armës) të së njëjtës armë, njëri me 10 (dhjetë) fishekë dhe tjetri me 8 (tetë) fishekë të kalibrit 9 mm LUGER, 20 (njëzet) fishekë tjerë (jashtë karikatorëve) të kalibrit 9mm LUGER dhe një brisk i vogël ngjyrë ushtarake”, thuhet në njoftimin e PS-së.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari me inicialet K.B., është dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme