Dy persona janë vënë në pranga këtë të hënë nga Policia e Tiranës dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohet se kanë mashtruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale një të moshuar, duke i marrë 100 mijë euro.
Sipas raportimeve të Policisë, në pranga kanë rënë B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.
Të tre këta shtetas, sipas njoftimit, i janë prezantuar burrit të moshuar, rreth 70 vjeç, si të njohurit e tij, ku ky i fundit ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh.
Më pas, sipas njoftimit, 70-vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.
“Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.”, thuhet në njoftim.