Pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe Aleanca Kosova e Re ka kërkuar rinumërimin e plotë të votave përmes anëtarit të saj, Islam Pacolli, i cili ishte edhe kandidat për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pacolli përmes një shkrimi në Facebook ka hedhur dyshime mbi numërimin e votave për kandidatët për deputetë, pas akuzave për manipulime me vota që ndodhën ditëve të fundit.
“Procesi ka nevojë për legjitimitet. Vetëm rinumërimi i tërësishëm mund të garantojë pacenushmërinë e vullnetit qytetarë. Prandaj, KQZ duhet të lejojë rinumërimin. Kjo nuk ka alternativë”, ka shkruar ndër të tjera Pacolli.
AAK-ja ishte partia e parë që kërkoi rinumërimin e tërësishëm të votave, pas manipulimeve të shumta që ndodhën brenda kësaj partie, që çuan deri në dorëheqjen e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla. Megjithatë, kjo kërkesë s’ka marrë mbështetjen e partive tjera në KQZ. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se sa i përket rinumërimit total, kjo vendoset nga KQZ-ja dhe nëse merr përkrahjen e të gjithëve, mund të ndodhë.