Edhe komisioni për Interesat e Komuniteteve dhe Kthim voton Projektligjin për buxhetin

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 13:49 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019, me dy vota kundër nga deputeti i LDK-së Kujtim Shala dhe ai i VV-së, Xhelal Sveçla, raporton Ekonomia Online.

Kurse deputetët, Danush Ademi dhe Mufera Sinik kërkuan që pika për shqyrtimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore të diskutohen në një takim tjetër sepse anëtarët nuk i kanë shqyrtuar amendamentet dhe se ka paqartësi brenda buxhetit.

Ata kërkuan që të mbahet edhe një mbledhje e komisionit para seancës për ta shqyrtuar këtë pikë.

Deputeti, Alberti Kinolli, nga 6+ tha se sipas projektligjit të kaluar buxheti ka qenë i ndarë për komunitetet, por nuk ka qenë i caktuar se për cilat.

Ndërsa tani janë për 6+ veçmas dhe tjetra për komunitetet, ai kërkoi që të jetë e qartë kjo pjesë se për cilat komunitete është fjala.

“Ne si grup 6+ kemi kërkuar takim me ministrin e financave dhe për korrektësi për me e marrë hisen që i takon ne e kemi gjet këtë formulë bashkë me të, vitin e kaluar ka qenë buxheti për komunitete por nuk ka qenë e precizuar për komunitetet e 6+ e tani shkruan për 6+ e tjetra për komunitetet tjera që nuk janë pjesë e 6+”, tha Kinolli.

“Me e thirr ministrin dhe me na sqaruar që mos me u dëmtuar asnjë komunitet mos të ndodh ajo që ka ndodhur vitin e kaluar”, tha ai.

Veton Berisha tha se tek grupi 6+ dihet se kush bën pjesë aty, por kërkoi që të precizohet se tek komunitetet për cilat komunitete është fjala.

Deputeti, Xhelal Sveçla tha se në 6+ bën pjesë gjitha komunitetet kështu që janë në dy anët dhe prandaj është e paqartë.

Sveçla tha se ka me qindra qytetarë që kanë mbetur pa shtëpi sivjet pikërisht për ketë problem që nuk ka qenë e specifikuar se cilat komunitete.

Në fund u caktua se grupi 6+ të ndahet veç, ndërsa amendamenti ku përmendet komunitetet, të jenë komunitetet jo shumicë që bëjnë pjesë jashtë 6+ dhe serbët.

Në shqyrtimin e draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019, deputeti Xhelal Sveçla tha se nuk ka qenë edhe aq i kënaqur me punën e komisionit në 2018.

Kurse për vitin 2019 ai ka kërkuar që si komision të jenë më aktiv në terren dhe më afër qytetarëve, raporton EO.

“Komisioni duhet të jetë më shumë afër qytetarit jo vetëm me i njoftuar për hallet, por të përfaqësoj qytetarin dhe hallet të i bartë në nivele më të larta nëse jo me i zgjidhë”, tha Sveçla.

“Komisioni duhet dy herë në muaj të dal në terren të takoj qytetarë e institucione të ndryshme, të ketë më shumë debate publike me qytetarë, të ketë bashkëpunim të ngushtë me OJQ prandaj në këtë frymë mendoj se duhet propozuar çdo dy javë me pasë vizita në terren”, tha ai.

Sveçla tha se duhet vizituar më shumë komunat ku jetojnë komunitetet e sidomos komunat ku janë shumica serbe.

Në javën e parë të shkurtit u caktua të fillohet vizita në terren në komunën e Zubin Potokut.

Deputetët u shprehën të gatshëm të ketë vizita më shumë në terren, por kërkuan edhe bashkëpunim më të madh me zyrën për komunitete tek presidenca dhe kryeministria.

Të ngjashme