Edhe sa doni me e keqpërdorë rastin Dehari?

Prishtinë | 23 Shk 2023 | 14:21 | Nga Shkodran Hoti

Me pasë humbë mostrat e Astrit Deharit gjatë mandatit të një qeverie tjetër, partia që sot është në pushtet, përveç që do të kërkonte përditë shkarkime, ka gjasë edhe protesta do të organizonte.

Sot, deputetët e pushtetit janë strukë si struci. I vetmi rast kur e nxjerrin kokën është kur i vazhdojnë akuzat për rastin ndaj pushtetit të mëhershëm.

Cila është ideja? Edhe sa doni me e keqpërdorë këtë rast?

Nëse pushteti i kaluar ka bërë gabime në trajtimin e rastit Dehari, kurrë VV s’ka me pasë mundësi më të mirë për me i nxjerrë para përgjegjësisë. Pra, veç duhet ta bëjë dhe ta ndalë viktimizimin e dërdëllitjet.

Në anën tjetër, dikush patjetër duhet me dhënë përgjegjësi për mostrat e zhdukura. Tashmë dihen emrat e njerëzve që kanë pasë qasje në hapësirën ku janë mbajtur ato. Pse s’po veprohet?

Si dikush që e ka pasë shok Astritin, ndjej keqardhje që ky rast po shfrytëzohet prej çdo pale për përllogaritje politike. Ky rast nuk tregon asgjë më pak se dehumanizimin tuaj. Jeni të gërditshëm!

Të ngjashme